Hasan Lika, trajneri i Luftëtarit, ka mbetur i zhgënjyer nga mungesa e fitores në Laç, në një sfidë ku pas 50 minutash dukej se kishte marrë fund gjithçka, me gjirokastritët që ishin në avantazh 2-0 dhe Laçi ishte me 10 lojtarë.
“Duhet të shënonim më shpejt golin e dytë, më pas e menaxhuam keq avantazhin, bëmë shumë gabime dhe mund edhe të humbnim. Duhet të jemi më të qetë, kemi një sulm të shkëlqyer dhe djemtë po bëjnë një punë të shkëlqyer përpara, por duhet të jemi më të qetë, në çdo drejtim.
Kartonët e kuq dhe golat? Ato i shihni ju, nuk kam ç’të them tani, arbitri ka bërë disa gabime të dukshme për mendimin tonë.
“Vetëvrasje barazimi i sotëm? Jo, do ta quaja vetëplagosje, sepse jemi ende në këmbë, nuk u mundëm.
“Gabimet në sulm? Rëndësi ka që krijojmë shumë raste, kundërshtari nuk krijoi sa ne dhe ndoshta duhej të shënonim më shumë.
“Besimi i munguar i skuadrës? Jo, skuadra beson në çdo ndeshje dhe po e tregon në fushën e lojës. Sot mund të fitonim, jemi një skuadër që krijojmë gjithnjë dhe është rruga e duhur. Edhe në Durrës ku fituam 3-2 mund të përfundonte në barazim, krijuam e humbëm shumë raste, ashtu si sot, ku mund të fitonim. Ne besojmë te loja e mirë që zhvillojmë dhe nëse përmirësojmë disa aspekte, jemi në rrugën e duhur dhe do të shkojmë edhe më lart”.