Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, tashmë ka të drejtë të festojë dhe t’i gëzohet ekipit fantastik që ka ndërtuar. Pas janarit Luftëtari ka vijuar rritjen e jashtëzakonshme që nisi në dhjetor dhe fitorja ndaj Kamzës ka afruar ndjeshëm vendet e kreut. Nuk bëhet më fjalë për rënie nga kategoria, por për Europë.
– Loja jo brilante, por pikët u morën.
– Mendoj se nuk kemi dalë n lojën tonë të zakonshme, por kishim përballë një rival të vështirë dhe mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Ishim përballë një rivali që jashtë fushe është akoma më i rrezikshëm, mbrohet mirë dhe ka lojtarë të shpejtë dhe me eksperiencë, si Plaku, Rezi e Fili. Skuadra e kërkoi fitoren, por nuk po dilte në lojën e saj dhe disa lojtarë e tepruan me veprimet individuale.
– Gabimet e Bregut para porte, si shpjegohen?
– Problem psikologjik, mendoj. Dëshira e madhe për të shënuar po e pengon. Ai e kërkon me ngulm golin, kjo është pozitive, por në një farë mënyre duket se ka humbur besimin para porte. Është një lojtar që e vuan shumë kur humbet raste dhe duhet të tregohet më i qetë.
– A ka shpërblim në rast kualifikimi në Europë?
– Ne kemi shpërblime gjithmonë, për çdo fitore. Për të tjerat, shohim.
– A shpjegohet nervozizmi i Bregut dhe deri diku i Abazajt me situatën e Skënderbeut?
– Jo, nuk mendoj se është kështu. Ata mund të kenë bërë një parakontratë me Skënderbeun, por japin maksimumin për Luftëtarin, asnjëherë nuk mendojnë për të ardhmen, kjo nuk diskutohet dhe e eliminoj si mundësi.
– Çfarë mund të thoni, kur e shihni Luftëtarin në këto pozita në renditje?
– Mund të them se të gjithë së bashku, nga presidenti e deri te tifozët, e kemi çuar skuadrën në këto pozita. Kur punohet mirë dhe të bashkuar, mund të arrihen rezultate të tilla. Synimi i parë ishte largimi nga zona e ftohtë, tani të shohim. Ka ende shumë ndeshje.
– Partizani ka larguar Starovën, a të josh një rikthim i mundshëm?
– Është një çështje që nuk më takon, unë mendoj për të vazhduar punën time, me Luftëtarin.