Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka të drejtë t’i gëzohet Luftëtarit të tij, sepse tashmë gjirokastritët fluturojnë drejt zonës së kualifikimit për në kupat e Europës. Fitore e madhe në Vlorë, mbrojtje perfekte dhe sulm i saktë, në Gjirokastër duhet të krenohen me skuadrën që kanë ndërtuar.
“E kishim përgatitur mirë ndeshjen, që ishte shumë e vështirë. Në një farë mënyrë përfituam nga mungesat e kundërshtarit, i shfrytëzuam mirë. E kontrolluam mirë lojën, nuk i lamë hapësira kundërshtarit dhe u treguam të rrezikshëm në sulm, edhe pse me pak qetësi mund të kishim shënuar edhe më shumë. Flamurtari kishte probleme formacioni dhe përfituam mirë nga kjo gjë.
“Nuk mendoj se mund të rivalizojmë me skuadrat e kreut. Kjo skuadër e nisi keq sezonin, pati probleme, disa lojtarë u larguan nga sezoni i shkuar dhe sigurisht që duhej kohë derisa të gjendeshin ekuilibrat e duhur. Tani kemi gjetur ritmin e duhur, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.
“Disa lojtarë duhej të paraqiteshin edhe më mirë, ka gjithnjë hapësira për përmirësim. Gjithsesi, nuk mund të festojmë shumë, edhe për respekt të kundërshtarit.
“Rastet e shumta për shënim që humbet sulmi? Sot sulmi u tregua shumë i kujdesshëm, sulmuesit krijojnë dhe shënojnë, ashtu si humbasin raste. Rëndësi ka që të krijohen rastet, sepse kjo tregon që loja është e mirë. Kemi lojtarë të shpejtë, që jashtë fushe e kanë më të lehtë, për shkak të hapësirave, por edhe në Gjirokastër kemi bërë ndeshje shumë të mira.
“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Ramadanin, ishte i dëmtuar dhe sakrifikoi për të luajtur, duke dhënë maksimumin. Është një lojtar i rëndësishëm dhe të gjithë po japin maksimumin, ndaj jam i kënaqur.
“Objektivat? Çdo javë ndryshon gjërat, sjell situata të ndryshme, ndaj nuk mund të flasim me siguri, i shohim ndeshjet javë pas jave”.