Për kapitenin e skuadrës shkodrane, fitorja me Kamzën ishte e merituar, ndërsa për të premten ai beson shume te marrja e tri pikëve
Kapiteni i kuqebluve, teksa flet për situatën pas fitores me Kamzën, shpreh besimin për një tjetër trepikësh në fushën e Partizanit. Sipas tij, nuk ka vlerë, nëse Vllaznia fiton një ndeshje dhe më pas nuk arrin të marrë pikë në ndeshjen e radhës.
Për fitoren e fundit, kapiteni i Vllaznisë tha: “Dy ndeshjet e fundit të luajtura ndaj Tiranes për Kupën e Shqipërisë dhe Kamzës për kampionat, që u fituan të dyja nga ne, kanë krijuar një situatë të shëndoshë psikologjike në skuadër dhe po ashtu edhe në qytet. Edhe pse nuk u kualifikuan në Kupë, loja jonë ishte e mirë dhe u duartrokit. Sigurisht, ndeshja me Kamzën ishte e një rëndësie të veçantë, ku jo vetëm trepikëshi ishte i domosdoshëm, por edhe skuadra u zhbllokuan me shënimin e tre golave. Fitorja ndaj Kamzës ishte me shumë vlera për ekipin tonë. Na duhej shumë një fitore e tillë për vetë situatën në të cilën gjendemi. Kemi bërë një lojë të mirë, pavarësisht se kishim edhe momente jo të mira. Mund të them se përballë kishim një kundërshtar të fortë dhe mund të ketë pasur ndikim edhe lodhja nga takimi i tri ditëve më parë me Tiranën, por skuadra arriti të përballonte me shumë sukses, duke bërë më të mirën e mundshme në fushë. Në fund iu gëzuam fitores së merituar dhe kjo ka rëndësi”.
PARTIZANI – Të premten, në orën 13:00, Vllaznia luan në transfertë me ekipin e Partizanit. Një kundërshtar ky shumë i fortë dhe këtë e pohon edhe kapiteni kuqeblu, Gilman Lika. Ai e vlerëson Partizanin për kualitetet që ka në skuadër dhe vlerat që mbart përgjithësisht, por ka mendimin se Vllaznia do ta kalojë me sukses një përballje të tillë. I pyetur se sa mund të ndikojë te kundërshtari humbja e thellë në Gjirokastër, Lika thotë: “Ajo humbje e Partizanit në ndeshjen e fundit shikohet në dy plane: e para dhe më e mundshmja është që Partizani të vijë në ndeshjen me ne në një situatë aspak të mirë psikologjike, çka do ta ndihmonte Vllazninë ta godiste në fushë, duke i shkaktuar një humbje tjetër. E dyta është se humbje të tillë ka raste që i nxisin skuadrat të reagojnë për mirë në ndeshjen e radhës. Ne dëshirojmë të jetë varianti i parë. Kam bindjen e plotë se Vllaznia do ta kalojë me sukses këtë ndeshje. Nuk e kemi atë luks për momentin që të kënaqemi me një pikë, sepse pozicioni i keq që kemi në tabelën e klasifikimit, mund të kalohet vetëm me marrjen e tri pikëve”, – thekson Lika, i cili nuk e fsheh dëshirën që fitorja të vijë edhe me një gol të tij në këtë ndeshje: “Mendoj se më e rëndësishme është të marrim pikë në përballjen me Partizanin në kryeqytet. Nëse marrim një rezultat pozitiv, që në fakt duhet ta marrim, mund të them se ekipi është në rrugën e duhur. Goli im? Do të ishte fantastike, por rëndësi ka rezultati”, – shton Lika.
FORMA SPORTIVE – Për formën e tij sportive, kapiteni kuqeblu shprehet i kënaqur, duke theksuar se po rritet dita-ditës. Ai pranon se në fillim të sezonit nuk ishte në parametrat e duhur, ndaj dhe e konsideron të drejtë ndonjë reagim nga opinioni sportiv për të dhe disa shokë të skuadrës, Në takimet e fundit Lika ka luajtur me tjetër ritëm, ka qenë shumë i lëvizshëm në çdo cep të fushës, luftarak dhe golashënues. “Të jem i sinqertë, më duhet të pranoj se kam një rritje të ndjeshme të formës time sportive dhe kjo më gëzon. Por nuk mund të them se jam ende te 100%- shi im. Mendoj se aty ku duhet mund të arrij, duke shfrytëzuar periudhën e fazës përgatitore dimërore, që ashtu si edhe kolegët e tjerë të skuadrës, do t’ia kushtoj maksimalisht procesin stërvitor”, – përfundon Lika.