Lika beson: Marrim pikë në Vlorë, shënon Bregu!

Gjirokastritët do të kenë dy mungesa në ndeshjen e sotme për shkak dëmtimi, ku më shumë peshon ajo e mesfushorit Ramadani

Gëzim Beqiri

Java e 22-të rezervon për Luftëtarin një sfidë shumë të rëndësishme, pasi një rezultat pozitiv në Vlorë do të thotë më shumë siguri dhe besim për objektivin e gjirokastritëve. Jo vetëm kaq, por edhe prania në radhët e Luftëtarit e tre vlonjatëve, të cilët janë Beqiri, Bregu dhe Liçaj, si dhe e Jakovljeviçit, ish-lojtari i Flamurtarit, e bëjnë këtë ndeshje shumë interesante sot. Me një seancë të zhvilluar dje në orën 11:00, trajneri Hasan Lika ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e sotme, ku koha në fakt ishte shumë e shkurtër. Gjirokastritët kanë si synim të mos dalin pa pikë në transfertën e Vlorës, për të qenë sa më pranë zonës europiane dhe për të përfituar në çdo moment, kur rivalët mund të gabojnë. Problem për gjirokastritët është dëmtimi i mesfushorit Behar Ramadani, por edhe mbrojtësit Rapa.

“Takimi në Vlorë ka vlerësimin maksimal nga ana jonë, sepse do të përballemi me një ekip shumë të fortë në fushë kundërshtare. Marrja e rezultatit pozitiv është synimi ynë, pavarësisht se luajmë brenda apo jashtë fushe. Me kontigjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion, besoj dhe shpreh bindjen se do të marrim pikë ndaj Flamurtarit. Të gjithë lojtarët kanë rëndësinë dhe vendin e tyre në ekip. Me Flamurtarin çdo lojtar që do të aktivizohet do të japë më të mirën.

“Papritur na lindën dy mungesa për arsye dëmtimi, por kemi lojtarë të aftë, të gatshëm për të dhënë 100%-shin e tyre në fushë. Besoj te forca dhe shpirti i skuadrës. Fakti që Bregu dhe Abazaj nuk kanë shënuar në javët e fundit nuk duhet t’i demoralizojë. Besoj te cilësitë e repartit sulmues dhe shpresoj se Bregu do të shënojë”, tha dje trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika.

Formacioni i mundshëm
Ruçi – Liçaj, Jakovljeviç, Beqiri, Xhekson – Aleksi, Rrapo – Abazaj, Rroca, Bregu – Shkurtaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *