“Europa? Të përfaqësohesh atje me një ekip si Luftëtari është dyfish kënaqësi. Duam të reklamojmë futbollin tonë të bukur”
Gëzim Beqiri
Luftëtari ka filluar që nga dita e djeshme përgatitjet për ndeshjen e javës së ardhshme me Vllazninë në Shkodër të shtunën. Dy ekipet kanë objektivat të kundërta, pasi shkodranët rrezikojnë rënien në të Parën, kurse bluzinjtë duan Europën. Luftëtari do të kërkojë me çdo kusht fitoren, duke shpresuar të parakalojë edhe Partizanin në vendin e tretë. Kjo javë është e rëndësishme për të ndryshuar distancën me rivalët, ose të paktën edhe për ta ruajtur.
DEKLARATA – Lejdi Liçaj është një nga lojtarët titullarë të Luftëtarit dhe pavarësisht se rreshtohet në mbrojtje, është parë shpesh të avancojë dhe të shënojë, sikurse ndodhi me Kukësin, kur shënoi golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e tij. Ndaj Laçit ishte ai që e devijoi pak topin pas gjuajtjes së Sefgjinit, pavarësisht se autorësia i mbeti futbollistit laçian. “Kërceva si shumë të tjerë dhe e pashë topin që po vinte në lartësi, por nëse portieri ynë do të bënte detyrën dhe të fliste me gjuhën e futbollistit, “e imja, e imja”, sepse “lëre, lëre” është faull, unë do të ruaja kundërshtarin dhe nuk do kërkoja të largoja topin. Athanasopulos e tha greqisht dhe sa bëra unë përkthimin iku topi”, thotë me humor Liçaj, që më pas flet për ndeshjen e radhës në Shkodër.
”Ndeshja me Vllazninë është me po aq rëndësi sa edhe ato që kemi luajtur deri tani, si dhe po aq e vështirë sa të tjerat që do të zhvillojmë. Kjo jo vetëm se po vjen fundi i kampionatit dhe të gjitha ekipet kanë synimet e tyre, por për ekipin tonë duhet të japim maksimumin, pasi edhe kemi ndryshuar objektiv. Nuk mund të them se si do të përfundojë ndeshja në Shkodër, por di që do të japim maksimumin. Tani Luftëtari ka tjetër pretendim dhe të gjithë çunat janë të angazhuar ta shpien ekipin në kupat e Evropë, duke bërë histori si për Luftëtarin, ashtu edhe për veten e tyre.
“Të përfaqësohesh në Evropë nuk është e lehtë dhe nëse do të ndodhë kjo, është edhe vlerësim për punën e tyre dhe shpërblimi më i mirë për tifozërinë dhe drejtuesit, sidomos për presidentin Tavo, i cili na motivon në çdo ndeshje. Pjesëmarrja në Evropë do të jetë për mua një tjetër kënaqësi dhe do ta kem për herë të pestë, sigurisht nëse përfaqësohemi edhe këtë vit. Katër herë kam marrë pjesë me Flamurtarin, një herë si ekip fitues i Kupës së Shqipërisë dhe tre herë duke dalë të tretët në klasifikim. Të përfaqësohesh në Evropë me një ekip si Luftëtari është dyfish kënaqësi, sepse jemi skuadra që luajmë një futboll të bukur dhe këtë duam ta reklamojmë në Evropë”, përfundon vlonjati.