Lexim mes rreshtave të Rejës! Momenti për t’u treguar “të mëdhenj”, objektivi i vërtetë nuk janë pikët

Nga Klaudio Ndreca

Sot nis zyrtarisht edicioni i ri i kualifikueseve të Botërorit ku do të ndizen edhe njëherë shpresat e tifozëve shqiptarë. Misioni është i pamundur në letër për të dalë në dy vendet e para dhe për të shpresuar te kualifikimi i mundshëm, por nga ana tjetër Reja ka në dorëzim grupin më të mirë të lojtarëve që kemi pasur ndër vite.

Në konferencën për shtyp trajneri italian do të shprehej me të drejtë: “Koha e së vërtetës kjo tani, duhet të tregojmë sesa jemi rritur”. E pikërisht këtu duhet të ndalemi, sa është rritur Shqipëria? Në gjithë këto kohë kemi folur për talentet e jashtëzakonshme që na vijnë te Kombëtarja, por në fushën e lojës nuk i shohim këto aftësi që të bëjnë diferencën. Ata janë normalë, të zakonshëm!

Në pritshmëri të mëdha, zhgënjimet janë të po këtij niveli. Për këtë arsye tifozët shqiptar kritikojnë edhe më shumë futbollistët pasi prej tyre pritet shumë më tepër duke ditur nivelin e klubeve ku luajnë në Europë, duke marrë emërtimin si “të fryrë mediatikisht”.

Kur është pyetur në lidhje me objektivin e Kombëtares, Reja do të shprehej: “Nuk do të flas shumë për objektivin. Më duhet të them se ajo që dua është që të kemi kurajon dhe të vrasim frikën. Duhet të kemi ekuilibrin e duhur dhe të mos kemi luhatje. Lojtarët duhet të kuptojnë se nuk duhet të bëjnë gabime se këtu nuk është si në klube që lejohet edhe ndonjë gabim më shumë”.

Sa shumë është thënë në pak rreshta! Të gjithë kemi qenë dëshmitarë për shpërdorimet e panumërta të rasteve të Shqipërisë përpara portës kundërshtare. Në një prej konferencave të fundit nga Kombëtarja, Sokol Cikalleshi do të kujtonte ndeshjen me Turqinë në transfertë që nëse do të ishte fituar nga kuqezinjtë, gara për kualifikimin në Europian do të merrte rrjedhë tjetër.

E nëse ky peng mbetet ende te Shqipëria, veshin duhet t’ia tërheqin Rei Manajt për mundësitë e pastra të humbura në një ndeshje që u interpretua në mënyrën më të mirë nga ana jonë. Por po ashtu jemi dëshmitarë se kur ekipet “e dobëta” në letër surprizojnë duke mundur të mëdhatë, e bëjnë këtë gjë edhe me një goditje të vetme në portë.

Pra ndaj Anglisë nuk duhet të gabohet asgjë përpara portës kundërshtare që të shpresohet për daljen me pikë, megjithëse historia jonë e shkuar nuk na e tregon këtë efektivitet të lartë. Por mbi të gjitha: “Të heqim frikën, të shtojmë kurajon”.

Është po e vështirë që të gjejmë një ndeshje të Kombëtares ku këmbët nuk dridhen dhe ku qetësia nuk humbet, në momentin kur jemi duke kërkuar golin e fitores ndaj Kombëtareve “të vogla” e modeste. Pikërisht ajo vlerë që e ndan një Kombëtare për t’u quajtur si “e vogël” apo “e madhe”.

Futbollistët kuqezinjë duhet të mos e humbasin kurrë besimin në vetvete dhe duhet të kuptojnë se shumë prej ndeshjeve të kësaj kategorie zgjidhen pas minutës së 80. Nga sulmet e shumta të shtuara në minutazhin që shkon drejt fundit dhe me llogjikën që nuk humbet kurrë për t’u pushtuar nga emocioni negativ e presioni, fituesi është “ekipi i madh”.

Ashtu siç shpeshherë na ka ndodhur teksa “gjunjët” tona nuk kanë mbajtur më në minutat e fundit ndaj kundërshtarëve të kalibrit të lartë. Këtë herë duhet ta demonstrojmë ne këtë vlerë ndaj ekipeve më të dobëta se ne për të bindur me lojën dhe për të arritur te rezultati edhe kur gjendemi në vështirësi. Pra më shumë sesa një fitore e thellë ndaj Andorrës, më shumë optimiste do të ishte një situatë e tillë ku të fitonim në minutat e fundit duke treguar pjekurinë e duhur që të kuptohet se Shqipëria është rritur dhe ka mësuar sesi të dalë nga vështirësitë, për ta testuar veten në ekstremitet.

Jo për t’u kthyer në krosimet e pakuptimta dhe në ato pasime që janë vetëm sa për të larguar topin nga këmbët dhe për ta dërguar shpeshherë pa adresë, kur koha nuk flet më në favor. 3, 4, 5, 6, 7 apo 9 pikë në tre ndeshje nuk është objektivi në vetvete. Shqipëria e Rejës me këtë grup që të emocionon duhet të kalojë fillimisht provën e maturisë. Nëse e kalojmë këtë provë me sukses, te Polonia do të frikësohen! /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *