Një humbje mund të përjetohet në shumë mënyra, po kur ajo vjen përballë një rivali të urryer në kampionat, atëherë është e padëshiruar dhe nuk përtypet. Një farë Partizani-Tirana në Shqipëri, por në Poloni, Leh Poznan dhe Legia Varshavë është një urrejtje që shkon edhe përtej ndonjë shakaje mes miqsh apo ndonjë batute me fqinjin e lagjes.
Është çështje nderi dhe kur nderi futet në pjesë, ndodh që ultrasit e një skuadre (Legias) të keqtrajtojnë lojtarët, duke i goditur me grushte, pas një humbje 3-0 në transfertë. Armiq të betuar, një rivalitet dhe urrejtje që prek edhe fëmijët, ashtu sikurse fotografia e “derbit” të përpara disa ditëve, kur në stadiumin e Poznanit, një fëmijë, pas golit të 3-të të vendasve, nxori gishtin e mesit kundër Legias…
Dhe diçka tjetër, spektakli piroteknik ishte i jashtëzakonshëm, por ndryshe nga Shqipëria, në Poloni, policia nuk do të ndërmarrë asnjë masë për të ndaluar fishekzjarrët, tymueset dhe sidomos dekorativët… Ndoshta, janë shumë mbrapa nesh, si filozofi dhe zhvillim!