Mirel Josa ka thyer heshtjen pas largimit nga drejtimi i Vllaznisë. Trajneri shqiptar ka dhënë një intervistë për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport” dhe “Tibo”, ku ndër të tjera ka dhënë edhe versionin e tij në lidhje me raportin me Liridon Latifin. Mes të dyve pati një krisje në javët e fundit dhe Josa shprehet se sulmuesi i kuqebluve dënoi veten me mungesën e përgjegjësisë ndaj stafit dhe në fushën e lojës.
“Kam qenë një javë në Greqi dhe i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e futbollit shqiptar. Mund të flas vetëm për Vllazninë, sepse për skuadrat e tjera nuk më takon të flas. Vllaznia ishte brenda objektivave dhe tashmë nuk është se e shoh që është jashtë. Të dy trajnerëve, Milotit dhe Sedloskit, i uroj suksese. Vllazninë më tepër e kam parë me kuriozitet dhe i vetmi kuriozitet që kisha ishte të shikoja mentalitetin e tyre pas largimit tim. Skuadra nën drejtimin tim ka pasur edhe ndeshje të mira, edhe të këqija.
Nëse do të bëjmë një analizë të lojës së ekipit me mua, unë kam mbajtur një linjë që na ka interesuar më tepër. Liridon Latifi ka dënuar veten e tij në radhë të parë, sepse nuk është përgjegjës me stafin dhe në fushën e lojës. Skuadrën time nuk e përbënte vetëm ai. Ne bëmë çdo gjë që ai të kthehej sa më shpejt. Një lojtar i shërben ekipit edhe kur luan 10 minuta. Ne kërkonim që lojtar që i jep skuadrës atë që skuadra i jep po atij. Ne duhet të gjenim një Latifi që të ishte në gjendje të mirë oër ekipin. Unë nuk jam penduar për asgjë ndaj tij”, ka deklaruar Mirel Josa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/