E kush ta besonte në fillimin e këtij sezoni në Seria A se Marash Kumbulla do të refuzonte një skuadër si Napoli në merkaton e janarit? Askush! Një lojtar i panjohur dhe i ardhur nga të rinjtë, ndërsa edhe në Serinë B më së shumti e kemi parë këtë futbollist në stol dhe si rezervë. Por një shans i dhënë nga trajneri Juriç, Kumbulla do ta shfrytëzonte në mënyrën më të mirë për të fituar besimin e të gjithëve.
Aktualisht është një nga talentet më të kërkuara në Seria A. Në mediat italiane dhe ato shqiptare ka bërë bujë para pak orësh se Kumbulla është lojtari më i ri i Napolit. Kjo pasi kishte një dakortësim total mes Napolit dhe Veronës për mënyrën e blerjes e cila shkonte me 15 milionë euro dhe 5 milionë bonuse.
Por nuk kishte një komunikim me vetë lojtarin, që është zhvilluar në mbrëmjen e djeshme me menaxherin e Kumbullës. Ky i fundit i ka shprehur drejtuesve të Napolit qendrimin e Kumbullës, se për momentin nuk dëshiron që të lëviz dhe një transferim i tillë nuk mund të kryhet, por duke lënë të hapur mundësinë për në verë. Mesa duket Kumbulla e dëshiron me gjithë zemër që të vesh fanellën e Interit, pasi kur këta të fundit e kërkuan, u gjet menjëherë dakortësimi me lojtarin, por mungoi me Veronën. /Sport Ekspres/