Kurbinasit janë përballur me Dritën më parë, ndërkohë që për momentin kërkohet kundërshtari i radhës
Laçi deri më tani ka bërë vetëm tre afrime, por largimet kanë qenë më të shumta. Presidenti Pashk Laska ka gjetur marrëveshjen për huazimin e Erjon Hoxhallarit dhe Bedri Grecës nga Tirana, ndërsa nga Kroacia është marrë mesfushori Nikolas Eller. Nevojat janë edhe për ndërhyrje të tjera, sidomos në qendër të mbrojtjes. Drejtuesit gjatë kësaj periudhe kanë tentuar të afrojnë nga jashtë vendit dy lojtarë për të repart, por nuk ia kanë dalë dot. Gjithsesi vijohet me të njëjtat ritme të tentohet të afrohen lojtarë. Po vëzhgohet në tregun e huaj për sulmues, por edhe për mesfushor qendror, pasi Rexhinaldo, Kallaku dhe Eskerda që nuk është rikthyer, kanë lënë boshllëk në ekip. Gjithsesi shpresohet që të gjithë të larguarit të zëvendësohen me të tjerë lojtarë cilësorë.
MIQËSORET – Trajneri Besnik Prenga ka mundur ta shohë ekipin e tij vetëm në një miqësore kundër Dritës së Gjilanit, ndërkohë që javën e shkuar nuk u zhvillua asnjë takim tjetër. U mendua të zhvillohej një ndeshje me Luftëtarin, por gjirokastritët u larguan drejt Sllovenisë për të zhvilluar fazën përgatitore. Të njëjtën gjë po bën edhe Kukësi, ndërsa një ditë më parë edhe Partizani, që ishte i vetmi ekip tjetër që kishte nisur përgatitjet, është zhvendosur drejt Ohrit për të zhvilluar fazën përgatitore. Në këtë mënyrë alternativat për të bërë ndonjë takim miqësor thuajse janë zero. Klubet e Kategorisë së Parë ende nuk kanë planifikuar të luajnë ndeshje, ndërkohë pjesa më e madhe e ekipeve të elitës zbresin në fushë në fillim të korrikut. Ndoshta në vijim mund të luhet kundër Kastriotit, që ditën e djeshme ka nisur përgatitjet. Në rast se ata do të jenë gati, me shumë mundësi mund të zhvillohet një takim kundër tyre në fundjavë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditën në vijim.