Pas një dite pushim, kurbinasit i janë rikthyer fushës së blertë ditën e djeshme. Trajneri Besnik Prenga me stafin e tij kanë punuar vetëm paradite me futbollistët, ndërsa pasdite është lënë pushim. Ndërkohë ka nisur edhe grumbullimi për ekipin, që do të punojë tashmë intensivisht deri në ndeshjen e parë në Europa Ligë kundër Anorthosis Famagusta. Ndërkohë është gjetur edhe miqësorja e dytë. Pas asaj me Dritën e Gjilanit, këtë herë bardhezinjtë do të përballen me Kastriotin. Ndeshja do të luhet në Laç ditën e shtunë prej orës 17:30. Ky takim do t’i shërbejë trajnerit Prenga për të parë gjendjen e ekipit të tij, ndërkohë që ka kuriozitet edhe nga tifozët për të parë afrimet e reja.
MERKATO – Deri më tani numri i afrimeve shkon në katër, teksa janë huazuar nga Tirana Hoxhallari dhe Greca, ndërkohë që nga Kroacia ka ardhur mesfushorit Nikolas Eller. Të hënën ka mbërritur edhe sulmuesi dhe bëhet fjalë për një kroat, i cili ka qenë pjesë e Slaven Belupo në pjesën e parë të sezonit të shkuar. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Vice Kendesh. Sezonin e ka mbyllur me Atlantas në Lituani dhe i është bashkuar kurbinasve. Mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të përshtatet te Laçi dhe të jetë në lartësinë e duhur. Momentalisht po punohet për të afruar një tjetër lojtar, këtë herë për qendrën e mbrojtjes. Është e nevojshme që të afrohet edhe një lojtar cilësor për këtë repart, pasi me largimin e Qaqit dhe Lulajt mungojnë alternativat. Trajneri Prenga mund të zhvendosë aty njërin mes Hoxhallarit dhe Qaqit, por problemi nuk është vetëm te ndeshjet e Europës. Laçi kërkon të përforcohet në prapavijë për sezonin e ri futbollistik dhe është me rëndësi të afrohet një lojtar me cilësi.