Partizani ka barazuar me Kastriotin ditën e sotme, por trajneri Kolela nuk e ka bërë dramë këtë rezultat. Italiani nuk e ka quajtur çudi barazimin dhe është shprehur se ekipi do të vijojë stërvitjen normalisht. Deklarata pas ndeshjes e Kolelës ka lënë një shije të hidhur për ikonën e Partizanit, Edmond Dostin.
Ish-sulmuesi i njohur ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook“. Dosti e nis reagimin e tij me titullin e “Sport Ekspres”-it për deklaratën e Kolëlës, ndërsa më pas i bën thirrje drejtuesëve të klubit të rishikojnë vendimin e tyre për stolin e trajnerit. Gjithashtu, ish-lojtari i “demave të kuq“ ka shpërndarë një foto të tijën, së bashku me Alban Hoxhën dhe Shpëtim Duron. Një mesazh i nënkuptuar për kupolën drejtuese të klubit kryeqytetas se çfarë i mungon skuadrës këtë sezon.
“’Tani do ikim në shtëpi dhe nesër fillon stërvitja prapë’! Trajneri i Partizanit flet pas barazimit ndaj Kastriotit: Ndodh edhe kjo, pse jo… Më duket se ky nuk është mirë! Presidenti Demi, drejtori Rama, edhe sa duhet të prisni? Po ky po na fyen inteligjencën. Unë nuk e pranoj dot, ju mendojeni vetë”, ka shkruar Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/