“Ky kampionati është më i dobëti që unë kam parë”! Saimir Patushi flet për lojtarët e Superiores: Nuk bëhesh sportist me dy orë stërvitje

Saimir Patushi ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Patushi ka folur sa i përket ecurisë së Superiores deri tani, teksa konkurrenca e këtij sezoni nuk i ka lënë shije të mirë. Gjithashtu është prekur edhe tema e stërvitjes së lojtarëve që lë jo pak për të dëshiruar me vetëm dy orë në ditë.

“Pres spektakël nga Vllaznia-Tirana, kështu ka qenë gjithmonë. Pres spektakël si në fushë ashtu edhe në tribunë. Trajneri i ri i Vllaznisë? Nuk ka shkop magjik për të ndryshuar gjithçka në pak ditë. Nëse shohim 90 minutëshin me Erzenin, si asnjëherë tjetër, Vllaznia ka qenë shumë e mirë. Nëse shohim ndeshjen tjetër me Kukësin, është ajo Vllaznia që ne kemi parë në gjithë sezonin, ku ishte me fat që barazoi.

Balaj? Unë mendoj se nuk shërbëhet mirë nga shokët e ekipit. Ai mban peshën kryesore në sulm dhe vendos në presion mbrojtjen kundërshtare. Nga ana e krahëve nuk ka furnizim shumë, ky nuk është problemi vetëm i Vllaznisë, por i gjithë ekipeve në Shqipëri.

Ekipet janë të barabarta, nuk kanë diferenca. Për mua ky kampionat është më i dobëti që kam parë ndonjëherë në vitet e demokracisë. Nëse stërvitesh vetëm dy orë në ditë, rrugëtimi i tyre është shumë i vështirë. Nuk duhet të stërvitesh vetëm dy orë, klubet duhet të gjejnë zgjidhje sepse kur dalim në Europë e shohim që jemi mbrapa”, tha Patushi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *