Ky fëmijë i llastuar! E sulmojnë në Kosovë, shpërthen Zhegrova: Do më quanit tradhtar, nuk jeni me ne

Nga Klaudio Ndreca

Edon Zhegrova, në organikën e saj të pasur dhe me lojtarë që kanë cilësi të lartë, Kosova mban edhe një fëmijë të llastuar. Është thuajse e pamundur që ky futbollist me aftësi të jashtëzakonshme të vijë në rrugën e drejtë për të pretenduar majat më të larta në karrierë. Asnjë trajner në nivel klubesh dhe te Kosova nuk ka mundur që t’ia heq “huqin” e keq që e konsideron futbollin si tenis, për të realizuar gjithçka vetë. Kur Zhegrova merr topin në këmbë është befasues më tepër për shokët e ekipit se kundërshtarin.

Lojtarët dardanë nuk e dinë se ku do të përfundojë aksioni dhe ku duhet ta kërkojnë topin, me dëshirën e madhe të Zhegrovës për të “çarë” murin i vetëm dhe ku zakonisht “përplas kokën”. Sa i përket performancës së tij në vëllazëroren me Shqipërinë ishte një histori më vete.

Vetëm hyrja e tij në fushën e lojës sapo përfundoi pushimi mes pjesëve është tregues për personalitetin e këtij lojtari. Si të kishte fituar disa Topa të Artë dhe tituj kampion, Zhegrova kërkonte që të linte hije në fushë që me shkeljen e parë të barit. Pjesa tjetër ishte e gjitha për t’u harruar ku përveç ulërimave ndaj arbitrit dhe ankesave në humbjen e topit, asgjë nuk mund të kujtohet prej tij.

Kjo ka bërë që shumë media në Kosovë “ta sulmojnë” në shkrimet e tyre, ndërsa Zhegrova ka reaguar ashpër duke kujtuar që e zgjodhi fanellën e dardanëve pa e menduar dy herë. Sigurisht, lojtarit në këtë rast duhet t’i tregohet se është fat për të që e mban veshur këtë fanellë dhe jo e anasjellta. Bota e futbollit nuk mund të rrotullohet rreth këmbëve të Zhegrovës… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *