Stavri Nica po kryen një punë fantastike te Kukësi. Skuadra verilindore ka ndyrshuar fytyrë në javët e fundit, duke befasuar me rezultatet në fushën e lojës. Kuksianët kanë marrë tre pikë të tjera ditën e sotme, teksa kanë mposhtur Vllazninë me rezultatin minimal 1-0.
Megjithëse me 10 lojtarë në fushën e lojës, Kukësi ia ka dalë të sigurojë fitoren përballë kuqebluve. Rashiti kërceu mbi të gjithë në zonën e Vllaznisë në minutën e 84-t dhe me kokë e ndali topin në rrjetë. Një gol që përcaktoi fatin e këtij takimi e qe e dërgoi skuadrën kuksiane në kuotën e 13 pikëve, po aq sa Tirana e Laçi i vendit të tretë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.
Memelli (Vllaznia): “Krijuam gati 10 raste. Kur humbet kaq raste humbet edhe besimi te individi. Të krijosh kaq raste në një fushë si kjo është tepër. Por nga ana tjetër është e papranueshme që të humbasim kaq shumë. Unë marr përgjegjësitë e mia, por detyra ime është ta çoj ekipin deri te porta, topin në rrjetë duhet ta fusin vetë. Me këtë ndeshje zhbëmë të gjithë atë që bëmë në Korçë. Është një brez që e përjeton futbollin përmes ‘Instagram‘-it. Është e papranueshme. Nuk janë si brezi jonë që jetonim me futbollin dhe e shihnim si një mënyrë që do të zgjidhte jetesën tonë. Nuk e konceptoj dot në trurit tim që në këto 4 muaj te Vllaznia Bekim Balaj 32 vjeç stërvitet më shumë se një që është 17 vjeç.“.
Nica (Kukësi): “Lojtarët kanë dëshirë të rrisin vlerën e tyre. Janë çuna të rinj dhe stërviten fort. I përgjigjen pothuajse të gjitha kërkesave të mia. Luajnë me dëshirë për fanellën dhe për njëri-tjetrin. Por kampionati është i gjatë. Çdo trajner ka idetë e veta se si mund ta zgjidhi situatën atëherë kur është e vështirë. Kur ke luks është më e lehtë për t’u zgjidhur situata. Ne na doli mënyra, sepse vetëm në atë mënyrë mund ta kapnim qoftë pikë, qoftë tre pikët. Nëse skuadra është luftarake dhe lufton në fushë… Nuk është vetëm menaxhimi me emra të mëdhenj dhe me lojtarë të shtrenjtë. Luajnë për të bërë emrin e tyre. Unë këtë u kërkoj, të rrisin vlerën e tyre. Tifozët kur shikojnë që luftohet në fushë, vijë edhe i shikojnë, pavërësisht se nuk ka emra“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/