“Kush po ia shtron rrugën Tiranës? Arbitrat nuk na ndihmojnë”/ Egbo reagon për polemikat

Tirana do të udhëtojë ditën e nesërme drejt Shkodrës ku do të gjejë Vllazninë në javën e 21 të Superiores. Bardheblutë gëzojnë një formë mjaft pozitive kohët e fundit, teksa kanë arritur të marrë 6 fitore radhazi. Ndërsa një deklaratë e fortë në prag të kësaj përballjeje do të vinte nga administratori i Vllaznisë, Suad Lici. Ky i fundit do të thoshte se Tiranës ia kanë shtruar rrugën drejt titullit kampion këtë sezon.

Për këtë deklaratë do të vinte edhe përgjigja e Emanuel Egbo, i cili e ka prekur këtë çështje në konferencën për shtyp përpara ndeshjes. Trajneri i Tiranës do të shprehej se askush nuk po e ndihmon ekipin e tij dhe se gabime ka pasur edhe kundër tyre, por kjo nuk do të thotë asgjë për të pasi arbitrat mund të gabojnë.

“Unë flas vetëm për ekipin tim dhe nuk merrem me ekipet e tjera. Nuk e kam bërë këtë as kur kanë bërë gabime kundër nesh në ndeshje. Nuk jemi ankuar sepse edhe ata gabojnë si të gjithë njerëzit. Ne jemi një ekip që hyjmë gjithnjë në fushë për fitore. Nuk e di kush po na e shtron rrugën sepse arbitrat nuk na kanë ndihmuar. Suad Lici ka qenë më parë te Tirana dhe e di fare mirë cila është Tirana dhe cila është Vllaznia. Nuk e di se në çfarë mënyre e ka thënë këtë” , ka thënë Egbo./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *