“RTSH” ka organizuar mbrëmjen e sotme ceremoninë për ndarjen e çmimeve për më të mirët e vitit që lamë pas. Mesfushori më i mirë i takon Idriz Bathës, kapitenit të Tiranës. Sezoni i shkuar ishte një sukses më vete për të, teksa arriti të ishte vendimtar për bardheblutë, me të cilët fitoi edhe titullin kampion, si dhe bëri paraqitje mjaft të mira në Europë.
Në një prononcim për mikrofonin e “RTSH“ pas marrjes së çmimit, Batha ka kujtuar edhe “plagët” vjetra. Mesfushori shqitpar ishte pjesë e moshave të Tiranës, por u largua prej klubit kryeqytetas dhe vijoi karrierën e tij tjetërkund. Arsyen e këtij largimi duket se e ka ende një enigmë edhe vetë kapiteni i kampionëve të Superiores, që shprehet se përgjigjen duhet ta dijë vetëm drejtori sportiv i atëhershëm, Alban Tafaj.
“Kush më hoqi nga Tirana kur luaja te moshat? Një pyetje që as unë vet nuk di ta them përgjigjen, ndonëse e kam kërkuar. Në atë kohë u bë një seleksionim dhe unë mbeta jashtë. Trajner ishte Rubio atëherë, por ai më tha se nuk e kam unë në dorë, nuk e kam bërë unë. Drejtor Sportiv ishte Alban Tafaj atëherë, besoj se ai e di përgjigjen”, ka thënë Idi Batha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/