“Kush ishte ai budalla që mendonte se nuk do fitonim”, Hafizi ironi me Rejën: Ose unë nuk di futboll, ose italianët shumë të zgjuar

Shqipëria ka marrë një fitore minimale 1-0 në Andorra, duke nisur me 3 pikë rrugëtimin për në kualifikueset e Botërorit 2022. Megjithatë loja e Kombëtares nuk ka bindur opinionin sportiv, me Astrit Hafizin që ngre pakënaqësi për mënyrën sesi ekipi ynë kombëtarë iu qas ndeshjes. Ish-trajneri shqiptar nuk i ka kursyer ironitë për trajnerin Reja në studion e “Supersport”, ndërsa thekson se një fitore sot nuk vihej në dyshim nga askush.

“Nuk duhet të ndalemi te fitorja, por te loja. Fitorja do të merrej në një mënyrë ose tjetër. Andorra është modeste, do ta gjenim mundësinë për ta bërë një gol. Edhe kur e bëmë ne golin ishte pakujdesi më shumë se aftësi e jona. Loja duhet diskutuar. Unë dua që të diskutojmë se ku do të shkojmë me këtë lojë? Ka kohë që intervistat e trajnerëve italian nuk i kuptoj fare. Ose nuk e kuptoj unë futbollin ose ata janë shumë të zgjuar.

Nëse flasim për lojë, ekipi ynë nuk ka ende fizionomi. Ia lëmë gjithçka rastësisë. Loja e krahëve ka të bëjë shumë në këtë skemë, ti nuk i ke. Lenjani ka bërë krosime shumë të dobëta, ne mbajmë mend vetëm një krosim të saktë të Hysajt dhe gjuajtjen e Lenjanit. Loja është bërë shumë e mërzitshme. Nuk e vinte njëri në dyshim fitoren sot. Kush ishte ai budalla që do thoshte nuk fitojmë në Andorra?”, ka thënë Astrit Hafizi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *