Egzon Binaku është përforcimi i fundit për kombëtaren shqiptare, i cili do të debutojë në miqësoret kundër Kosovës e Ukrainës pas pak ditësh.
Realisht, Binaku është risia e madhe e Panuçit, sepse Sindrit Guri kishte kohë që ishte lajmëruar se do të grumbullohej për këto miqësore, pas golave pa fund në Superiore dhe firmës në kampionatin belg.
Por kush është Binaku? Bëhet fjalë për një futbollist me origjinë nga Kosova, por i lindur e i rritur në Suedi, aty ku është formuar si futbollist, duke hedhur hapat e parë te IFK Amal.
Në vitin 2014 e pikasi Hakeni, klub nga Goteborgu, që prej vitesh është në majat e futbollit suedez.
Prej vitit 2015 në ekipin e parë, Binaku pati vetëm një periudhë të shkurtër huazimi te Ljungskile, ndërsa në vitin 2017 u bë titullar te Hakeni, me 22 ndeshje në kampionat, 15 prej të cilave nga minuta e parë. Vetëm 3 kartonë të verdhë dhe një i kuq gjatë sezonit, kartoni i kuq erdhi pikërisht kundër Malmos, por ishte një simulim i kundërshtarit.
Malmo e pëlqeu dhe në fund të vitit të shkuar vendosi ta blinte për 800 mijë euro, pasi Binaku kishte rinovuar verën e shkuar. Kontratë 4-vjeçare për mbrojtësin e majtë, i cili te Hakeni e kishte nisur si anësor i majtë ofensiv, pozicion që di ta bëjë mirë.
Välkommen till Malmö FF, Egzon Binaku! pic.twitter.com/tTzqsyYn7y
— Malmö FF (@Malmo_FF) December 20, 2017
“Binaku është një mbrojtës modern, i shpejtë, i zoti me këmbë dhe i mirë në lojën një-kundër-një”, thotë drejtori sportiv i Malmos Daniel Anderson, i cili është i bindur se te Malmo Binaku do të zhvillohet edhe më shumë, duke pasur si rival një emër me shumë eksperiencë si 33-vjeçari Behrang Safari, ish-mbrojtës i Bazelit dhe Anderlehtit, ndër të tjera.
Gjatë prezantimit në dhjetor të vitit të shkuar Binaku u shpreh: “Dua të fitoj trofe, ndaj zgjodha Malmon. Gjatë viteve të fundit kam mësuar të luaj në mbrojtje e në sulm dhe mendoj se cilësitë e mia sulmuese do të përshtaten mirë me lojën e Malmos”
Binaku ka luajtur një ndeshje në Kampionatin Europian U21 verën e shkuar, me fanellën e Suedisë, por tani ka zgjedhur Shqipërinë.