Tirana bëri krenar të gjithë shqiptarët në arenën Europiane, ku mposhti fillimisht Dinamon e Tbilisit, ndërsa më pas bëri një paraqitje për t’u vlerësuar kundër Crvena Zvezdës. Loja e bardhebluve në Champions League ka rënë edhe në sytë e një ikone të klubit, Agustin Kola. Në një intervistë për “ABC News”, ish-futbollisti tregon se Tirana i ka përmbysur pritshëmritë e tij në ndeshjen kundër serbëve, ku kanë dominuar në fushë.
Ndeshja me Zvezdën
“Të them të drejtën, kur na ra shorti me Yllin e Kuq, thosha ‘obobo’ e uroja të mos pësonim shumë gola. Me atë që pashë në fushë, po t’i shohësh të gjithë aspektet, ishim më lart se kundërshtari dhe e vumë në pozitë. Dëgjoja njerëzit të thonin që ‘jo po luajtën dobët ata’. Jo, kemi luajtur ne shumë mirë, perfekt”.
Gabimi i Egbo
“Meritë ka presidenti fillimisht. E kam thënë edhe herë të tjera që trajneri ka meritë. Për mua ka një gabim, kur hoqi Cobbinah. Unë isha i mendimit që nuk duhej hequr. Mund ta bënte nëse do të kishte një lojtar tjetër me përvojë”.
Ndeshja me Dinamo Bukureshtin në 1986
“Atëherë luanim pak ndeshje. Kampionati ishte i fortë, më i fortë se sa sot. Shkonim jashtë që të mos pësonim gola. Pastaj mobilizoheshim në grup. Kur shihnim Rummenigge në vitet ’80 në TV, “obobo” thoshim. Tani nuk ka më ndjenjë inferioriteti”.
Tirana sezonin e ardhshëm
“Dëshira ime është që Tirana të ecë përpara. Kemi kampionatin përpara dhe Tirana është sërish për titull. Janë edhe më të fuqishëm se vjet. Me ndeshjen që pashë, besoj se do ecin. Gjithsesi duhet edhe fat në ndeshje të tilla”, ka deklaruar Agustin Kola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/