“Kur ndien shumë dashuri për të, por nuk e pranon para “shokëve”/ Historia e veçantë e Tiranës me Superioren

Historia dhe gjendja e Tiranës kërkon një analizë të madhe dhe të thellë, për të dalë në konkluzionin se çfarë po rëndon më shumë se nga çfarë duhet në klubin e bardhebluve. E nisur në mënyrën më të mirë në fillimin e sezonit, atje ku që pas javëve të para po flitej edhe për titullin kampion.

Por siç jemi mësuar prej kohësh tashmë nga kjo skuadër, mjafton një rëshkitje e vogël dhe situata të marrë tatpjetën. Derisa gjendet njeriu “i shenjtë”, Egbo, që gjithçka e lidh me besimin në Zot. Një “PO” e tij për Halilin kur iu ofrua Tirana ishte po kaq “e shenjtë” për këtë trajner që priti gjatë dhe nuk vendosi menjëherë, ndërsa siç ka thënë vetë ai, foli me Zotin përmes lutjeve derisa pranoi bardheblutë.

E për të vazhduar fitoret radhazi që nisën që me Partizanin dhe mbaruan me Skënderbeun. Por prisni, këtu ka një tjetër lidhje biblike për Egbon! Tirana ka arritur 7 fitoreve radhazi në Superiore, që është një numër i veçantë dhe që shpreh diçka.

Shtatë janë ngjyrat e ylberit, shtatë janë ditët e javës, shtatë janë mrekullitë e botës, shtatë janë notat muzikore. Pra është një numër që sipas besimit tregon përsosmërinë, ndërsa 7 ishin edhe fitoret e Egbos me Tiranën.

A mos ndoshta magjia duhej të mbyllej pikërisht këtu për të rinisur sërish? Gjithsesi, një temë që duhet të preket është ajo e presionit në klubin bardheblu. Situata ka mbërritur deri aty aqsa kur jemi drejt fundit të kampionatit dhe Tirana ndodhet në vendin e dytë, por asnjëherë nuk thuhet: “Jemi në luftën për titullin kampion”. Duke nisur nga trajneri Egbo e tek të gjithë lojtarët i është dhënë “urdhëri” që të mos flasin për këtë pjesë, por ta driblojnë pyetjen ashtu siç bëjnë me topin në fushë: “Do të shohim vetëm ndeshjen e radhës, nuk mendojmë për titullin kampion”.

Por kjo është si një histori dashurie, kur djali nuk e pranon në publik dhe para shokëve ndjenjat që ka për vajzën, duke e anashkaluar tërësisht në bisedë, megjithëse është i marrosur pas saj. Pastaj mjafton vetëm një moment kur marrëdhënia duket më e vështirë që të ndodhi dhe largohet disi, për të bërë reagime të papritura dhe të dalë disi jashtë vetes. Të tilla ishin fjalët e Halilit, që ia faturoi barazimin Egbos dhe dështimin për të fituar, duke u shprehur se gaboi dhe vonoi me zëvendësimet.

Pra pas 7 fitoreve radhazi në kampionat dhe 9 në total duke llogaritur edhe Kupën, mjafton një ndalesë përpara, për të nxjerrë edhe qëllimin që është në mendje, megjithëse duhet të mbahet i fshehtë. “Titulli kampion pas shumë vitesh dhe për 100-vjetorin”! Pavarësisht faktit nëse pranohet apo jo, të gjithë e kanë të qartë. Por sa shumë do të rëndojë e gjitha kjo te Tirana dhe sa mund t’i kthehet në efekt “bumerang”? Një gjë është e sigurtë, për sa kohë bardheblutë nuk e ndiejnë ende veten se janë të gatshëm për të mbërritur në këtë “martesë” me titullin, atëherë do të jetë shumë e vështirë për të mbërritur deri këtu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *