Erling Haaland është pritur ditën e sotme nga 10 mijë tifozë të Manchester City-t për të dhënë përballë tyre konferencën zyrtare për shtyp si lojtar i “qytetarëve“. Sulmuesi norvegjez tregon se çfarë e shtyu të firmoste për Manchester City-n. Ish-lojtari i Dortmundit rrëfen momentin kur kishte përballë ekipin e Guardiolës në Champions League, ku për 25 minuta nuk mundi të prekte një herë topin. Haaland thotë se kompeticioni i tij i preferur është Champions League, pikërisht turneu që City pret me padurim për ta fituar. Në fund norvegjezi lëshon edhe një “kërcënim” për rivalin e përjetshëm të “qytetarëve”, teksa shprehet se me zor pret të përballet me Manchester United-in.
“Shpresoj se mund të sjell më shumë cilësi. Me mua si sulmues, dua të argëtohem. Kur argëtohem, shënoj gola dhe kënaqem duke luajtur. Shpresoj të buzëqesh shumë. Kam luajtur kundër City-t. E shikon diçka në TV, por kur e takon në realitet është krejtësisht ndryshe. Nuk e kam prekur topin për 25 minuta!
Unë po thoja, ‘të lutem Gundogan ndalo së luajturi tiki-taka!’ Është një nivel tjetër se si City krijon raste. Kjo është ajo ku unë dua të jem pjesë. Çdo futbollist dëshiron të fitojë trofe dhe të bëhet më i mirë çdo ditë. Ndonjëherë shoh lojtarë që pozojnë me një trofe dhe unë them: “Do të doja të isha ti”. Le të vazhdojmë të punojmë shumë dhe shpresojmë se do të fitoj disa trofe. E thashë edhe më parë, Champions League është kompeticioni im i preferuar. Ekipi që me zor pres ta kem përballë? Nuk më pëlqen t’i them fjalët, por Manchester United-in”, ka deklaruar ndër të tjera Erlind Haaland./Halit Delibashi-Sport Ekspres/