Armando Broja është në kryeqendër të vëmendjes për tifozët shqiptarë. Sulmuesi po përjeton momentin më të mirë të karrierës pasi është pjesë e Chelsea. Për këtë lojtar ka folur së fundmi edhe Nevil Dede. Në një intervistë për “Tribalfootball”, Dede tregon edhe mendimet që e pushtuan kur pa për herë të parë Armando Brojën.
“Kur pashë për herë të parë Brojën, mendova se ai duhej të ishte nga një komb tjetër dhe jo nga ne, sepse mund të shihja disa cilësi tek ai që nuk i kisha parë kurrë më parë te lojtarët shqiptarë. Ai ka shpejtësi të madhe në ndryshim nga lojtarët e tjerë shqiptarë, thjesht nuk kam parë ndonjëherë dikë me këto cilësi.
Duhet të shohim sa shpejt do të zhvillohet apo do të piqet, e vetmja gjë që i uroj është që të ketë shëndet dhe të luajë sa më shumë minuta. Ai është në një klub të madh ku mund të zhvillohet dhe të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm. Gjithashtu, për moshën e tij, ai tashmë po bëhet ndoshta lojtari më i rëndësishëm që ka Shqipëria”, tha Dede. /Sport Ekspres/