Kukësi u ndesh sot me Dinamon në Pezë-Helmës, në miqësoren e fundit para rifillimit të kampionatit. Një mundësi e mirë për trajnerin Peter Pakult për të parë skuadrën e tij në veprim pak ditë para rifillimit të kampionatit, edhe pse dihet që Dinamo e drejtuar nga Igli Allmuça nuk ka kontingjent për t’u përballur si i barabartë me kampionët në fuqi. Përfundoi 5-1 për Kukësin, që dominoi totalisht.
Vetëm 25 minuta zgjati rezistenca e Dinamos, sepse Donjet Shkodra shënoi një gol të bukur direkt nga goditja e dënimit.
Më pas, në minutën e 36-të Guri shënoi me 11-metërsh, ndërsa në minutën e 50-të Bakaj shënoi golin e tretë.
Lika shkurtoi për Dinamon në minutën e 62-të, por vetëm kaq për Dinamon, sepse më pas Guri dhe nga pika e bardhë Maldin Ymeraj e çuan rezultatin në 5-1.
Kukësi – Dinamo 5-1
Shënues: Shkodra 25’, Guri 36’ (11-m) 66’, Bakaj 51’, Ymeraj 71’ (11-m) / Lika 62′