Vazhdon “operacioni fshesa” te Kukësi, sepse siç njoftoi Sport Ekspres më herët, mesfushorët Milosh Kërkotiç e Ndriçim Shtubina dhe mbrojtësi Rexhep Memini konsiderohen të panevojshëm për pjesën e dytë të sezonit, por është vetëm fillimi.
Duket se te Kukësi kërkojnë patjetër të zvogëlojnë jo vetëm organikën e lojtarëve, por edhe stafin. Kështu, është larguar edhe trajneri i portierëve Ermal Nexhipi. Ky i fundit u afrua në verë dhe ka punuar me portierët së bashku me trajnerin e njohur Gut Tafaj, i cili tani e tutje do ta vazhdojë i vetëm punën.
“Njoftoj të gjithë shokët, miqtë, mediat dhe në veçanti tifozët e Kukësit se nuk jam më pjesë e skuadrës. Kam dhënë më të mirën së bashku me kolegët që të arrinim objektivat, por jo gjithnjë çdo gjë shkon sipas parashikimeve! I uroj skuadrës, presidencës dhe tifozëve më të mirat. Respekte për ju, kënaqësi që isha me ju! Forca Kukësi!”, shkruan trajneri Nexhipi në faqen e vet në Facebook.