Kukësi i pandalshëm në merkato. Verilindorët i kanë marrë shumë seriozisht përgatitjet për ndeshjet europiane dhe po përforcohen në çdo repart të mundshëm. Deri më tani në radhët e Kukësit janë prezantuar zyrtarisht portieri Faton Maloku, mbrojtësit Edis Maliqi dhe Harallamb Qaqi si dhe sulmuesit Arlind Kalaja dhe Sebino Plaku.
Pavarësisht kësaj, në ditët e ardhshme priten të tjera afrime. “Supersport” raporton se nënkampionët kanë arritur marrëveshjen me mbrojtësin brazilian Uillian Kordeiro Melo. 24-vjeçari i cili është aktivizuar në radhët e Oestes do të jetë pjesë e Kukësit për edicionin e ardhshëm dhe prezantimi pritet që të vijë së shpejti. Lojtari e ka pranuar ofertën e bërë nga drejtuesit kuksian. Uillian Kordeiro luan si mbrojtës i djathtë dhe në sezonet e fundit ka qenë një titullar i padiskutueshëm.
Vlera e brazilianit në treg është diku tek 600 mijë eruo dhe me shumë gjasa Kukësi kërkon që ta rrisë si futbollist në mënyrë që të përfitojë nga shitja e tij e mundshme. Fakti që 24-vjecari aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes bën që ky pozicion të ketë tre lojtarë, por me shumë gjasa Filip Zhderiç është drejt largimit. Palët janë ulur në bisedime dhe mund ta zgjidhin kontratën me konsensus.