Kukësi, në Turqi për fazë përgatitore

Kampionët do të udhëtojnë drejt Antalias për një fazë 12 ditore. Mundësi për të testuar lojtarë, si dhe po programohen disa miqësore luksi

Jurgen Zela

Verilindorët nuk po gëzojnë një moment të mirë dhe në Durrës janë të dënuar për të fituar, pasi vijnë nga dy humbje radhazi në kampionat. Për fatin e tyre të mirë, Skënderbeu u ndal në Laç dhe diferenca me vendin e parë mbetet sërish 9 pikë. Te Kukësi besojnë ende se mund të arrijnë të marrin titullin në fund, duke synuar që së paku të shkojnë në merkaton e janarit me një diferencë jo më të madhe se kjo aktualja e më pas me një merkato të mirë mund të arrijnë të rikuperojnë. Shpesh trajneri Mlladen Milinkoviç e ka thënë në konferencat për shtyp se pret merkaton e janarit dhe beson shumë se do të ndërtojë një skuadër të denjë për të synuar titullin deri në fund.

FAZA PËRGATITORE
Pas ndeshjes me Teutën, Kukësi do të presë në shtëpi Luftëtarin, për të mbyllur në këtë mënyrë aktivitetin sportiv të vitit 2017. Duke qenë se për afro 25 ditë skuadra nuk do të ketë ndeshje zyrtare, presidenti Safet Gjici ka menduar që t’i krijojë kushtet më të mira të mundshme për një fazë përgatitore skuadrës së tij. Edhe pse kampionati do të fillojë në mes të janarit, skuadra do të ketë ditët e mjaftueshme për një fazë jashtë vendit. Kampionët kanë vendosur që të kryejnë fazën përgatitore në Turqi dhe pritet të udhëtojnë rreth datës 4 janar drejt Antalias për t’u kthyer më 16 janar.
Gjatë kësaj periudhe trajneri Mlladen Milinkoviç dhe stafi i tij do të ketë mundësinë që të testojë disa lojtarë që do të afrohen nga klubi, por dhe të përgatisë skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit. Që tani stafi teknik ka nisur që të kontaktojë disa lojtarë që fillimisht duhet t’i vëzhgojë për të vendosur më pas nëse do t’i mbajë apo jo.

MIQËSORET
Gjatë qëndrimit në Turqi, kampionët do të zhvillojnë dhe disa teste miqësore. Siç bëhet e ditur drejtuesit janë në bisedime me disa skuadër të Superligës turke, por jo vetëm. Në ditët e ardhme do të merret dhe përgjigja për ndeshjet që do të zhvillohen gjatë qëndrimit në Turqi, por pritet që të luhen jo më shumë se 4 ndeshje. Më pranë duket një përballje me skuadrën e Malatjasporit, megjithatë pritet për t’u konfirmuar në ditët e ardhshme. Po ashtu një tjetër takim miqësor mund të jetë me Istanbul Bashakshehirin, me të cilin Kukësi u ndesh dhe një vit më parë. Edhe janarin e shkuar Kukësi i zhvilloi përgatitjet po në Turqi, madje asokohe tërhoqi vëmendjen e disa menaxherëve të huaj. Kujtojmë këtu disa oferta për Nijas Lenën dhe Pero Pejiçin, por që nuk kënaqën klubin kuksian dhe për faktin se donte me çdo kusht titullin kampion. Nuk është çudi që dhe këtë vit Kukësi të ndiqet nga ndonjë menaxher dhe të shesë ndonjë prej elementëve që ka, për të mbushur në këtë mënyrë arkat e klubit. Gjithsesi, fillimisht duhet përpiluar lista nga trajneri Milinkoviç me lojtarët që do të mbajë në skuadër dhe ato që do të largojë, pasi presidenti Gjici e ka paralajmëruar se do të ketë largime dhe sigurisht që një konsultë me teknikun serb e ka bërë paraprakisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *