Klubi bardheblu e Kukësi bien dakord që mbrojtësi i djathtë të luajë në Champions League, por më pas Tirana tërhiqet nga marrëveshja
Olsi Avdiaj
Tirana i mohon Albi Dokës ndeshjet në Champions League me Kukësin. Klubi i drejtuar nga Peter Pakult kohë më parë i ka kërkuar Tiranës që të merrte për ndeshjet e Europës, Albi Dokën. Si Tirana dhe Kukësi janë ulur në bisedime dhe është vendosur që Albi Doka të luajë në Europë me Kukësin. Në momentin përfundimtar kur Doka dhe Kukësi do të firmosin marrëveshjen për ndeshjet në Europë, klubi bardheblu ka bllokuar kalimin, pa asnjë arsye konkrete. Një goditje e rëndë për lojtarin bardheblu, i cili shpresonte që ndeshjet e Championsit ku do të luante t’i kishte vitrinë për merkaton. Në fakt, Tirana në mënyrë të çuditshme sekondën e fundit i ka thënë jo Dokës e Kukësit. Jo vetëm kaq, por ky veprim ka qenë jo i njëjtë me çështjen Hoxhallari, i cili u lejua të luante në Europë. Nga ana tjetër, lojtari i Shpresave jo vetëm që humbi një shans për t’u reklamuar, por edhe një shumë të mirë parash, që do të merrte futbollisti nga ndeshjet e Europës. Përfundimisht Doka humb Europën për një kapriço të klubit Tirana, që nuk e lë të luajë në Champions League.
Hoxhallari – Një javë më parë u zyrtarizuar marrëveshja e re me Erjon Hoxhallarin, ndërkohë që të hënën ka ardhur një lëvizje e papritur: 22-vjeçari do të veshë fanellën e Laçit. Gjithsesi trajneri Ze Maria nuk duhet të shqetësohet shumë, pasi do ta ketë mbrojtësin e majtë pjesë të ekipit në kampionat, sigurisht nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë gjatë verës. Marrëveshja mes dy klubeve është për huazimin e Hoxhallarit për ndeshjet e kupave të Evropës. Presidenti Refik Halili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të tij Pashk Laska, duke lejuar lojtarin e tij që të provojë një eksperiencë të re me fanellën e Laçit. Kjo është hera e dytë që Hoxhallari huazohet, pasi në të shkuarën bardheblutë e patën dërguar te Teuta. Në sezonin 2014-2015 ai dha kontributin e tij për durrsakët dhe sezonin pasardhës u kthye në shtëpi. Prej tre sezonesh radhazi luan me Tiranën dhe me shumë mundësi rrugëtimi i tij me fanellën bardheblu pritet të jetë i gjatë.
Precedenti me huazimet – Në verën e vitit 2014 ka pasur një marrëveshje mes Laçit dhe Tiranës për huazimin e sulmuesit Mario Morina. Bardheblutë edhe atëherë e pranuan kërkesën e bardhezinjve. Sulmuesi kryeqytetas u aktivizua titullar në ndeshjen që skuadra e drejtuar nga Stavri Nica u mund në turin e dytë të Europa Ligës nga ukrainasit e Zoria Luhansk me rezultatin 0-3. Morina luajti vetëm 40 minuta, duke u zëvendësuar në pjesën e parë. Pas asaj ndeshje u kthye te Tirana. Sulmuesi nuk u grumbullua për ndeshjen e dytë në Ukrainë. Presidenti Refik Halili në të shkuarën ka huazuar lojtarë edhe te Kukësi për kupat e Europës. Kapiteni Erando Karabeci dhe mbrojtësi Gentian Muça janë lojtarët që në kompeticionet evropiane kanë luajtur me verilindorët si të huazuar.