Gjergj Vyshka
Shqipëri – Izrael 3-1
(25-23, 25-16, 27-29, 25-16)
Shqipëria: Bici, E.Tuci, Marina, Ar.Prenga, Thaka, Sejfullai (L), Shehi (L), Am.Prenga/Xheka, Rexhepi, Kushi, M.Tuci, Dodani Trajner: A.Martiri
Izraeli: Dudockin, Stein, Jaloba, Lander, Malik, Ganah, Zilberman (L)/Kopilovitsh, Gofer, Matvijenko, Lahav Trajner: Xh.Kukarini
Gjyqtarë: A.Taran (Moldavi), A.Shehu (Shqipëri)
Asistentë: K.Tota, L.Nurçe, E.Kurti, G.Ahmetaj (Shqipëri)
Tashmë është fakt i kryer. Shqipëria e volejbollit të femrave është kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Evropës, grupi i argjendtë. Dhe kjo si e dyta e grupit B, teksa dje, vajzat e drejtuara nga Altin Martiri dhe Roland Tarja, kanë arritur fitoren e tretë në katër ndeshje. Nuk ka qenë një fitore e lehtë, ndërsa Izraeli ka bërë rezistencë. Por në fund gjithçka ka shkuar mirë dhe ndeshjet me Austrinë në transfertë, apo me Gjeorgjinë në Tiranë shërbejnë thjeshtë si kalendar. Për të mos thënë si përgatitje për fazën finale të Ligës së Evropës, e cila më 16-17 qershor do të zhvillohet në Norçeping të Suedisë. Një paraqitje e mirë deri më tani, shoqëruar me tre fitore, dy prej të cilave në transfertë. Dhe nuk ka ku shkon më mirë për Shqipërinë e volejbollit të femrave, që ka nisur një verë të gjatë aktivitetesh.
Ndeshja – Në fakt fillimi i setit të parë është disi i drobitur, me barazime të shpeshta, 2-2, 5-5, 6-6. Dhe pas kësaj izraelitet marrin situatën në dorën, ndërsa kanë kryesuar 6-9, 10-11. Me shumë vështirësi tonat kanë përmbysur në 15-14, 24-21 dhe në fund e kanë fituar setin e parë 25-23. I dyti është tërësisht për vajzat tona; 10-7, 13-9, 23-19 dhe në fund 25-16. Po kështu dhe i treti deri në 18-15. Izraeli merr zemër dhe kryeson në 22-23. Disa barazime radhazi 23-23, 24-24, 25-25, 26-26, 27-27. Dhe në mënyrë surprizë kanë ardhur dy pikët e fundit të setit nga Izraeli, 29-27 dhe gjendja e seteve 2-1. I katërti më pas është me një sens; 4-1, 11-5, 24-15 dhe 25-16 dhe krejt ndeshje 3-1. Pikëshënuesja më e mirë Erblira Bici me 28 pikë. Në bllok është dalluar Sava Thaka me pesë mure fituese dhe Esmeralda Tuci me katër, kurse në shërbim Lander e Izraelit me tre pasuar nga Bici, Esmeralda Tuci dhe Marina me nga dy shëbime fituese. Përfundimisht një ndeshje e mirë dhe rezultative e tonave.
Trajneri i Shqipërisë
Martiri: E rëndësishme është që arritëm objektivin…
Altin Martiri, trajneri i Shqipërisë në volejboll për femra, është shfaqur i kënaqur për kualifikimin për në fazën finale të Ligës së Evropës, grupi i argjendtë. “Ishte përgjegjësi e madhe – ka thënë Martiri për RTSH Sport në përfundim të ndeshjes – kjo ndeshje, sepse kërkohej fitorja. Izraeli e dinim që do të na hapte punë. Por gjithsesi, luajtëm mirë dhe ia arritëm qëllimit. Kualifikimi është një anë, por kuptohet që ne do t’i shkojmë deri në fund këtij aktiviteti dhe të marrim më të mirën. Janë dy ndeshje për t’u luajtur dhe nuk i dihet”.