Me kuqeblutë është bashkuar edhe mbrojtësi shkodran, që për momentin ka sqaruar situatën e tij me ligjin
Gaspër Marku
Surprizë në stërvitjen e Vllaznisë: rikthehet Renato Malota! Edhe pse informacionet në adresë të mbrojtësit kuqeblu ishin shumë pozitive, pakkush e mendonte se një gjë e tillë do të ndodhte kaq shpejt. Bazuar edhe në programin e prezantuar më herët, aty rreth orës 15.50 tekniku Ernest Gjoka i ka fryrë bilbilit për startin e procesit stërvitor, ndërkohë që fiks në orën 16.15, fuoristrada e Renato Malotës është shfaqur në hyrje të kompleksit sportive “Hasaj”. Kjo ka befasuar të gjithë të pranishmit.
Nuk ka vonuar dhe me të zbritur nga automjeti, Malota është “zhytur” menjëherë brenda kompleksit ku pas takimit me administratorin Astrit Gjyrezi dhe trajnerin Ernest Gjoka, ka vijuar të përqafohet në vazhdim edhe me kolegët e tjerë kuqeblu. Një situatë kjo, që ka ndikuar padiskutim në krijimin e një klime shumë pozitive dhe entuziaste në radhët e skuadrës kuqeblu, që për hir të së vërtetës, e kishin ndier jo pak mungesën e kolegut të tyre. Qoftë në ndeshjet zyrtare, por edhe në stërvitje. Qëndrimi i Malotës në kompleksin sportiv “Hasaj” ka konsistuar vetëm për disa minuta. Lojtari, pasi është përshëndetur me drejtuesit dhe kolegët e tij futbollistë ka kërkuar leje që të largohet sërish drejt qytetit të Lezhës, ku i ishte kërkuar të plotësonte disa dokumente të tjera personale. Kthimi i Malotës pritet të premten në Shkodër, por këtë herë, për të qëndruar në gjirin e skuadrës, duke vijuar normalisht procesin stërvitor.
Vendimi – Duke e ndjekur hap pas hapi ecurinë e ngjarjeve rreth çështjes “Malota”, nga burime pranë organeve të drejtësisë së qytetit të Lezhës, por e konfirmuar një gjë e tillë edhe nga vet goja e Malotës, mësohet se futbollisti shkodran është dorëzuar pasditen e së mërkurës në policinë e Lezhës. Ai ka kaluar natën në polici, duke qëndruar deri mesditën e së enjtes. Ka qenë pikërisht, ora 13.30 e së enjtes kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka shqyrtuar në një seancë të posaçme çështjen ”Malota”. Në përfundim, vendimi i dhënë ndaj Renato Malotës ka qenë “hetim në gjendje të lirë”. Që do të thotë se Malota do të ketë mundësinë të vijojë normalisht aktivitetin e tij sportiv, me kusht, që sa herë drejtësia do të ketë nevojë për të, ai të paraqitet pranë gjykatës dhe prokurorisë, për të dhënë sqarimet e duhura rreth çështjes në fjalë. Futbollisti kuqeblu vazhdon të këmbëngulë se është i pafajshëm. Atë dhe familjen e tij e kanë ngatërruar gabimisht. Lojtari ka besim të plotë se në ditët në vazhdim çdo gjë do të zgjidhet pozitivisht në favor të tij. “Sot (dje) Gjykata vendosi për hetim në gjendje të lirë ndaj meje, ngaqë nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua. Një vendim, i cili ka ardhur nga që u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument, për të cilin jam akuzuar. Edhe certifikata e pronësisë, nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse. Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit, se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori. Sot (dje) erdha sa për të takuar drejtuesit dhe shokët e ekipit dhe nesër (sot) do të jem në stërvitje dhe në dispozicion të stafit teknik”, u shpreh Renato Malota ditën e djeshme, me të mbërritur në kompleksin sportiv “Hasaj”.