Rezultatet e arritura në Europë na bën kaq mirë për të kuptuar situatën reale të ekipeve të Superiores. Tashmë e kemi të qartë se çfarë nuk shkon me këto skuadra dhe se pompoziteti mediatik është më i madh sesa duhet. Në jo pak raste e kemi thënë se ndoshta niveli i lojtarëve nuk po i përgjigjet më stadiumeve që po ndërtohen.
Problemi kryesor i ekipeve të Superiores mbetet luhatja e frikshme nga ndeshja në ndeshje dhe forma e dobët fizike e lojtarëve, pa i hyrë cilësive. Në mënyrë paradoksale kemi vënë re deri tani se sa herë një ekip kundërshtar ndëshkohet me karton të kuq, niveli i lojës mbetet po i njëjti, pa bërë asnjë diferencë nga skuadra që është në superioritet numerik.
Vllaznia i përket pikërisht kësaj teme diskutimi. Që në ndeshjen e parë të Superiores për këtë sezon erdhi humbja me Erzenin. Lojtarët dukeshin ende me pushime dhe nuk arritën që të godisnin njëherë në portën kundërshtare. Ashtu siç pritej, nga kritikat e mëdha, futbollistët transformohen për të krijuar aksione të shumta ndaj Kukësit. Pavarësisht mungesës së saktësisë në portën kundërshtare, gjithsesi loja ishte për t’u duartrokitur.
Ndërkohë fytyra e treguar me Tiranën na krijoi menjëherë përshtypjen se diçka nuk po shkon siç duhet. Bardheblutë e kthyen ndeshjen me një portë në 20 minutat e para. Më pas ishte Kaina që shpiku i vetëm fitoren, me një penallti të marrë, një karton të kuq që ia shkaktoi Tiranën dhe një gol të dytë.
Pa këtë formë të këtij sulmuesi të paktën në atë takim, Vllaznia nuk do të bënte asgjë e vetme. Në fund jo vetëm që niveli mbeti i njëjti me 10 lojtarë dhe Tirana iu afrua aq shumë herë golit, por te shkodranët kishte disa tentativa për të vonuar lojën dhe për të stimuluar, shumë larg ADN-së reale të Vllaznisë, që kërkon futbollin e bukur.
Në fitore mund të kritikohet, jo me patjetër duhet të jesh “armik” për të bërë një gjë të tillë. Për këtë arsye edhe linja e pasqyrimit në median tonë ka qenë e tillë, për të vënë në pah të vërtetën dhe mangësitë në lojën e Vllaznisë që u shfaqën menjëherë në ndeshjen e radhës. Një humbje me Egnatian mund të merret, duke parë edhe lojtarët e ofruar nga kjo skuadër, por kur del pa dhënë asgjë nga fusha e blertë, atëherë problemi është serioz.
Linja e mbrojtjes nuk ofron më sigurinë e sezonit të kaluar, po aq sa mungesa e kreativitetit në aksionet sulmuese. Diçka duhet të ndryshojë në këtë skuadër, qoftë që nga sjellja e lojtarëve në fushën e blertë. Nëse gjithçka vjen për shkakun e mungesës së impenjimit të tyre në këto ndeshje të ashtuquajtura “të vogla”, atëherë ky është problemi më i vogël. Nëse gjithçka vjen për shkakun e limiteve për të bërë dy ndeshje radhazi të mira, atëherë problemi është serioz. /Sport Ekspres/