Nga Klaudio Ndreca
Ishim më mirë kush ishim…keq! Ndoshta kjo është shprehja që vlen më tepër për Shqipërinë e Rejës. Gjithmonë shprehemi se mbrojtja e Kombëtares është e blinduar dhe ofron siguri, por në këtë grumbullim e kemi pasur luksin e vërtetë në sulm. Pavarësisht se ky trajner vendosi skemën me dy sulmues, që në kohën e De Biazit nuk mund ta shihnim as në ëndrrën më të çmendur, me këtë formë që po kalonin futbollistët tanë në Europë nuk ishte sërish e mjaftueshme.
Sigurisht, këtu nuk po e përmendim kohën dhe skemën e Panuçit. Ky i fundit fliste gjithmonë për Shqipëri sulmuese, por Kombëtarja jonë niste të qarkullonte topin pasi kishte pësuar tre gola. E lejuar nga kundërshtari kuptohet, duke ia falur topin, jo për meritë të veçantë. Por le të kthehemi sërish në temën tonë. Kritikat më të mëdha vijnë për Rejën sa i përket zgjedhjes së dyshes sulmuese. Padyshim që lënia jashtë e Myrto Uzunit që ka luajtur në Champions League dhe vazhdon me performanca të nivelit të lartë, do të thotë më pak befasi për kundërshtarin. Padyshim që lënia jashtë e Armando Brojës do të thotë se kemi zeruar thuajse të gjitha mundësitë që të shënojmë gol me aftësitë e vetëm një lojtari.
Por a është hyrja e Cikalleshit si padrejtësi? JO, do të ishte mëkati më i madh nëse do të quhej e tillë. Pikësëpari Cikalleshi është sulmuesi më në formë nga të gjithë të tjerët me statistikat e tij në kampionat pasi ka shënuar dy gola me vlerë tre pikëshi në tre ndeshje në elitën e Turqisë. Ndërkohë me Kombëtaren ka arritur në epokën e Rejës që të shënojë thuajse në çdo përballje, e bëri edhe ndaj Polonisë. A është hyrja e Manajt si padrejtësi? Gjithmonë për këtë lojtar ka përplasje mendimesh dhe idesh, por faktet janë fakte.
Futbollisti në fjalë është raportuar edhe nga vetë faqja e Barcelonës si shqiptari i parë që ka debutuar me fanellën e ekipit të parë të katalanasve dhe që ka arritur të shënojë. Ku, ndaj kujt dhe sa arriti të shënonte, janë vetëm statistika plotësuese. Nëse e sheh veten të shërbehesh nga De Jong, që të driblosh Umtitin dhe që të jesh përkrah Mesit në stërvitje, do të thotë diçka. Pra, kurrsesi nuk mund të quhet padrejtësi as aktivizimi i tij. Por nga të gjitha këto alternativa, Reja duhet t’i besojë vetëm dy futbollistëve.
A po bën padrejtësi italiani duke i besuar gjithmonë të njëjtët emrave kur cilësia e tyre është thuajse e barabartë mes nivelit të lartë? Le ta shohim! Ndeshja e parë e kualifikueseve kundër Andorrës, luan: “Cikalleshi-Manaj”. Ndeshja e dytë e kualifikueseve kundër Anglisë, luan: “Broja-Cikalleshi-Uzuni”. Ndeshja e tretë kualifikuese kundër San Marinos, luan: “Manaj-Broja”. Ndeshja e katërt e kualifikueseve kundër Polonisë, luan: “Manaj-Cikalleshi”. Ndeshja e pestë e kualifikueseve kundër Hungarisë, luan: “Uzuni”.
Pra këtu i jemi referuar vetëm këtij edicioni dhe formacionit titullar, për të kuptuar nëse Reja ka diçka “personale” me ndonjë sulmues(katër emrave) të lakuar dhe nëse është “çmendur” në këtë moshë, që në fakt nuk flet shumë në favor të tij. Cikalleshi numëron 3 paraqitje si titullar në këtë edicion, Manaj numëron 3 paraqitje si titullar në këtë edicion, ndërsa Broja dhe Uzuni numërojnë nga 2 paraqitje si titullar në këtë edicion. Kjo do të thotë se të gjithë këta sulmues i kanë pasur mundësitë që të tregojnë vlerat e tyre dhe se gjithmonë ka pasur rotacion në bazë të formës dhe kundërshtarit, nuk ka të preferuar, ndryshe nga mënyra sesi komentohen në opinionin sportiv.
Sigurisht, të tjera mendime kishim pas ndeshjes me Anglinë dhe të tjera kemi pas përfundimit të takimit me Hungarinë. Por për të qenë të drejtë deri në fund, duhet të pohojmë se te Kombëtarja e Rejës nuk ka “të përkëdhelur”. Nëse do të quhen të tillë Cikalleshi dhe Manaj që kanë më shumë në kohë në Kombëtare dhe që njëkohësisht kanë pasur formën e duhur në ekipet ku luanin, vetëm për shkakun se numërojnë 1 ndeshje më tepër për nisjen si titullar sesa Broja dhe Uzuni, nuk do ta pranonte asnjë llogjikë e kthjellët. Për më tepër që nëse do i futemi edhe pjesës së zëvendësimeve, Uzuni i ka luajtur të gjitha ndeshjet, 5 nga 5 të mundshme, ndërsa Broja 4 nga 5, është vetëm 19-vjeç. /Sport Ekspres/