Varshava ishte pikënisja nga ku Kombëtarja filloi të surprizonte me një stil loje ndryshe nga sa ishim mësuar më parë. Pa frikë për të luajtur me topin në këmbët e tyre dhe me guxim për të shkuar e për të kërcënuar portën kundërshtare. Shqipëria bëri një lojë sulmuese në Poloni, por rezultati nuk iu përgjigj panoramës së 90 minutave, teksa vendasit do të triumfonin me shifrat 4-1.
Një rezultat kaq i thellë ka mjaftuar për të hedhur poshtë gjithë paraqitjen e bërë nga kuqezinjtë dhe për të nisur me kritikat. Kombëtarja nisi të dukej sikur kishte shpërdoruar mundësinë për fitore, pasi për opinionin sportiv niveli i kundërshtarit nuk ishte ai që pritej. Ndoshta mungesa e emrave të mëdhenj në skuadër bëri të mundur iluzionin se përballë kishim një rival të rangut tonë, prandaj rezultati pozitiv u mor si i mirëqenë.
Por vetëm pak ditë më vonë Polonia tregon se përshtypjet ishin krejtësisht të gabuara. Fillimisht fitorja tenistike 7-1 me San Marion e më pas deri të befasia e madhe kundër Anglisë. Nënkampionët e Europës ndalen në barazim 1-1 në një ndeshje ku statistikat tregojnë se nuk e njihnin portën kundërshtare.
Vetëm 2 goditje në kuadrat për “tre luanët“, ndërsa njëra përfundon në rrjetë. E kjo për meritë të aftësive individuale të Kane se sa për faj të mbrojtjes polake. Sulmuesi i Tottenham bën një goditje nga një distancë tejet e largët, ku ndëshkon kundërshtarët me një supergol që çdo ekip në botë do të ishte i pafuqishëm ta shmangte. Kjo ndodhi vetëm në minutën e 72-të, kur më parë kishin shënjestruar vetëm një herë tjetër katërkëndeshin me një goditje “dëshpëruese” nga Philips.
Shuma pak histori nga sulmi i një prej Kombëtareve më të mira në botë, që në statistika rezulton më dobët se Shqipëria. Në po të njëjtin stadium ekipi ynë kombëtar rrezikoi 4 herë kuadratin e portës polake, tentoi 12 herë si dhe arriti të shënonte duke ç’ekuilibruar mbrojtjen kundërshtare. Por nëse tani meritat për barazimin kundër Anglisë do i kalojnë të gjitha Polonisë, në takimin me Kombëtaren shqiptare ndodh e kundërta. Gjithçka ndodhi për faj të Shqipërisë, që pavarësisht lojës së bukur të zhvilluar, tentativave në portën e Sheznit dhe një penalltie të padhënë, përsëri u gjykuan se ndaj një niveli si ai i Polonisë duhej të kishin bërë më tepër. Gjë të cilën në fund nuk e bëri dot as vetë nënkampionia e Europës./Sport Ekspres/