Milani po vazhdon të fitojë si në Europa Ligë dhe në kampionat, duke treguar dhe njëherë që janë një grup i konsoliduar dhe nuk varen vetëm nga Champions League. Ndonëse ndeshja e sotme ndaj Sparta Pragës nuk kishte interesin maksimal për kuqezinjtë, djemtë e Piolit fituan edhe me lojtarë të rinj në fushë. Të ndihmuar dhe nga humbja e Lille, Milani e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë.
Rikthimi i Piolit nga karantina rezultoi mjaft me fat, pasi Milani i ka fituar të tre ndeshjet që ka luajtur. Pas përfundimit të sfidës së sotme, trajneri italian kishte vetëm lavdërime për skuadrën e tij. “Që kur i njoha mirë lojtarët e mi, menjëherë krijova besim, grupi ka cilësi! Natyrisht nuk mendoja për të gjitha këto rezultate. Jemi të mirë në përgatitjen e ndeshjeve, duke i luajtur ato në maksimum dhe duke i harruar shpejt.
Jam shumë i kënaqur, lojtarët që kemi aktivizuar më pak na kanë lejuar të mbajmë nivelin e trajnimit të lartë dhe sonte ata e konfirmuan atë. Unë kam një grup serioz të cilësive të larta morale”- u shpreh Pioli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/