Anton Cicani
Për ata që janë munduar të lexojnë librin “Princi” të Nikolo Makiavelit, sigurish, thelbi dhe mesazhi universal “qëllimi justifikon mjetet” është praktikisht jeta jonë e përditshme, kur shpesh mundohemi të bëjmë diçka edhe pse e dimë se mund të jetë e gabuar, por që mund të na sjellë atë që kërkojmë ose synojmë…
Do të kenë menduar kështu edhe “fqinjët” e Shën Pjetërburgut, që jetojnë në një provincë të pasur, ajo e Leningrad Oblast, pra Leningradi i madh. Tosneski, le ta quajmë qytezë e lindur si konvikt i funksionarëve ushtarakë dhe të partisë. Kazerma dhe pak fabrika: një konglomerat qytezash prej 10-15 mijë banorësh, pak të ndara, por shumë të ngjashme për strukturën e tyre.
Tosno, kryeqendra e këtij rajoni, ndodhet 70 km larg Shën Pjetërburgut. Vetëm 30 mijë banorë dhe asnjë motiv për të qenë i njohur, përveç se këto ditë! Një muze i vogël një katedrale e bukur, disa monumente të Luftës së Dytë Botërore. E megjithatë, thellë thellë, njihet edhe për fabrikën e eskavatorëve. Mjafton me kaq.
E megjithatë, viti 2013 do të sillte diçka ndryshe. Viatçelav Matiushenko, një biznesmen vendas, vendos të krijojë një klub futbolli dhe një objektiv: duhet të mbërrihet elita brenda pesë vitesh. E quajnë “Eskavatori”, sepse për të arritur misionin e tij duhet të shkatërrojë çdo gjë që i del përpara. Sigurisht, fakt i çuditshëm është se mungon stadiumi, por pak rëndësi ka kjo… Skuadra e nis nga divizioni i tretë dhe ndjekin 22 ndeshje pa humbje dhe e nis praktikisht nga fundi i pusit në Kupë, në raundin e 512. FC Tosno ishte regjistruar në Vtoroj Divizion, niveli i tretë dhe shkalla më e ulët e ligës profesioniste. Vetëm një vit dhe e gjen veten në Russian National Football League, divizioni i dytë.
Ndërkohë, tifozët duan stadiumin, por ai ende nuk duket në horizont. Kështu, biznesmeni gjen një akord me klubin e Zenitit, duke i marrë borxh impiantin e vjetër, “Petrovski”, që mund të mbajë rreth 5000 tifozë.
Duket një mision i pamundur ngjitja, por Tosno ia del. Vitin e shkuar ngjitet në Premier League Ruse. E megjithatë, nis makthi i parë: asnjë sponsor, publiku që mungon dhe shpenzimet që rriten. Matushenko gjen mbështetje të dy banka, që i japin kredi dhe kështu arrin të formojë një skuadër konkurruese. E gjitha kjo, deri në dhjetor, kur magjia shuhet dhe përralla nis të kthehet në një libër “thriller”. Rrogat nisin të vonohen. Në fillim administrata, më pas futbollistët. Degradimi nuk ka të ndalur, teksa palët e treta duan të paguhen për shërbimet: bileta avioni, akomodime në hotele dhe Zeniti që troket në portën e biznesmenit, pasi ende nuk ka parë asnjë kacidhe për qiranë e stadiumit.
Ato pak para që mbeten janë baza materiale dhe udhëtimet në transferta. E megjithatë, më të bashkuar se kurrë, arrijnë surprizën e madhe: Tosno fiton kupën e Rusisë. Në fillim eliminon Spartak Moskën dhe më pas mund në finale 2-1 Avantgard Kursk, skuadër e divizionit të dytë. Mendohet se me bonusin e Kupës, disa qindra mijëra rubla, mund të kalojnë problemet: as që bëhet fjalë. Motivi? i mban liga, sepse ka këste të papaguara.
Skuadra mbetet pa rroga dhe para, deri sa e shtyn deri në fund të sezonit: Tosno mundet ndeshjen e fundit nga UFA që shkon në Europë dhe bie kështu në kategorinë e dytë. Sigurisht, Europën e ka siguruar me kupën, por hajde merre atë të shkretë licencim. Kështu, vjen dëbimi nga UEFA, ku shkon Krasnodari, UEFA dhe Shën Pjetërburgu.
Lojtarët nuk humbasin kohë dhe provojnë kartën e fundit: letër kryeministrit Putin, i pasionuar i futbollit. Asnjë përgjigje, teksa ditët e agonisë kalojnë. Eshtë shumë vonë, ndërsa biznesmeni Matushenko deklaron: “Mbarova gjithë paratë, nuk më ndihmoi askush. Nuk vazhdoj dot më!”.
Skuadra ka rënë ndërkohë në kategorinë e dytë, por nuk ka para për të përmbushur kriterin e regjistrimit, kështu që rrëshqitja vazhdon deri te kategoria e tretë. Mes lojtarëve që ëndërruan, edhe veterani Pobregniak. “Nuk kam marrë asnjë rrogë, por paratë nuk kanë rëndësi. Më vjen keq, sepse djemtë dhanë shpirtin. Dikush të përgjigjet, nuk lihet kështu në mëshirë të fatit një klub”.
Nëse nuk vjen zgjidhja, brenda 14 qershorit, dytë përpara nisjes së Botërorit, Tosno do të shkrihet, duke u rikthyer aty ku ishte, anonimitet. Dhe, e gjitha kjo, ndërsa punimet për stadiumin e ri kanë nisur, pasi investimi është bërë paraprakisht…
Të fitosh kupën e Rusisë, biesh nga kategoria dhe falimentosh: e gjitha, në pesë vjet. Historia e Tosnos, skuadra që lindi nga hiçi me ëndrrën e madhe, por që do të rikthehet aty, mes heshtjes së një qyteze që dikur ishte plot me kazerma ushtarake…