Gëzim Beqiri
Pasditen e djeshme, trajneri slloven Millosh Kostiç, bashkë me stafin teknik e tij, ku ndihmës i parë është Amir Botonjiaç, po nga Sllovenia, si edhe përgatitësin atletik Koltsidas dhe atë të portierëve Jankoviç, që ishin edhe më parë te Luftëtari, zhvilluan seancën e parë stërvitore. Trajneri Kostiç kishte firmosur vetëm një ditë më parë kontratën me ekipin gjirokastrit dhe menjëherë nisi nga puna, duke u njohur së pari me grupin e futbollistëve që do të drejtojë.
KOSTIÇ – Pas kësaj seance, trajneri Kostiç për ”Sport Ekspres” deklaroi: “Fillimisht, dua të falënderoj presidentin Grigor Tavo, i cili më dha mundësinë të vij në këtë ekip, që ka objektiva madhorë. Jo vetëm kampionati, por edhe pjesëmarrja në Ligën e Europës janë sfida të rëndësishme si për ekipin, ashtu edhe për mua si trajner. Kur u takova për herë të parë me presidentin Tavo, biseduam për një projekt të rëndësishëm me pikësynim sezonin e ri, në mënyrë që Luftëtari të mbetet si tani, midis ekipeve më të mirë. Kryesorja është që të vazhdojmë të përfaqësohemi në Kupat e Europës. Jemi angazhuar që sfidat t’i arrijmë së bashku. E njoh kampionatin shqiptar, sepse kam qenë skaut i ekipeve sllovene. Kam qenë edhe në Gjirokastër, por e kisha menduar se do të drejtoja Luftëtarin. Kam qenë në tribunë në ndeshjen ndaj Partizanit. Kam vëzhguar edhe ekipe të tjera dhe jo pa qëllim pranova të drejtoj Luftëtarin. Aktualisht, kemi disa futbollistë të dëmtuar dhe shpresoj të rikuperohen sa më shpejt. Do marrim futbollistë të tjerë. Po vëzhgojmë në Shqipëri, por mund të vijnë edhe nga Sllovenia. Do të pranojmë në ekip më të mirët, me synimin që çdo rol ta kemi të dubluar. Synim të parë kemi vendet e para në përfundim të sezonit dhe nuk kemi rënë dakord konkretisht për ecurinë në Europa League. Presidenti Tavo e kupton që në Europë nuk mund të merren tani objektiva, kur nuk është hedhur ende shorti. Ka ekipe europiane shumë të forta dhe kjo është e pranueshme. Midis tyre, në short bashkë me Luftëtarin janë edhe tre ekipe nga vendlindja ime dhe nuk është çudi të ndeshemi me një prej tyre. Do të ishte sfidë, por edhe kënaqësi për mua, por janë të tria skuadra të forta. Pavarësisht se me kë do të ndeshemi në turin e parë, do të japim maksimumin. Atë që unë premtoj është se futbollistët, përveçse do të japin 100% të mundësive të tyre, do të japin shpirtin në fushë dhe rezultati nuk do të mungojë”.
21 lojtarë në seancën e parë, 8 prej tyre në provë
Në stërvitjen e djeshme, e para për gjirokastritët në kuadrin e përgatitjeve për pjesëmarrjen në Europa League, ishin të pranishëm 21 futbollistë. Ra menjëherë në sy fakti që tetë prej tyre ishin të grumbulluar rishtaz. Ata kishin ardhur nga ekipe të tjera, disa edhe nga jashtë vendit. Ata do të provohen nga stafi i ri teknik i Luftëtarit për disa ditë dhe më pas do të shihet, nëse ndonjëri është i vlefshëm për ekipin. Nga grupi i futbollistëve që ishin edhe më parë pjesë e Luftëtarit, të pranishëm ishin Ruçi, Qyrani, Liçaj, Rapa, Rapo, V.Shkurtaj, K.Shkurtaj, Aleksi, Ramadani dhe Demo. Nesër pritet të kthehen Xhekson, kurse Rroca do të mungojë për disa ditë, pasi është ende në fazën e rikuperimit. Po ashtu, Jakovljeviç do të mungojë gjashtë javë, pasi ka kryer një operacion pak kohë më parë. Nga ekipet e moshave të Luftëtarit ishin grumbulluar Ziaji, Molla dhe Alinani, ndërsa Bellai do të bashkohet pasi të kthehet nga grumbullimi me kombëtaren e 19-vjeçarëve.
Futbollistët e rinj në provë
Gerand Shameti, Dinamo, Tiranë
Dhimitër Andoni, Butriniti, Sarandë
Erald Hyseni, Tomori, Berat
Fatih Jusufi, Shkupi, Maqedoni
Albi Peza, Olimpik, Tiranë
Gjergji Dhima, Rodos, Greqi
Niko Haxhis, Greqi
Franc Bakalli, Butrinti, Sarandë