E dashur Kosovë, të ardhmen e ke fantastike! Kështu mund të titullohet dita e sotme, që ka parë Kosovën U-19 të fitojë 2-1 ndaj Sllovakisë në kualifikueset e Europianit U-19, ndërsa më pas ka parë ekipin A të fitojë 2-0 ndaj Burkina Fasos, në miqësoren e luajtur në Francë.
Qershia mbi tortë: Kosova U21 ka ndalur sot te barazimi 0-0 Gjermaninë, në një ndeshje kualifikuese për Euro U-21, pra një ndeshje jo dosido, kundër një superfuqie botërore.
Rafet Prekazi është trajneri i Kosovës U21, që me shumë lojtarë nga kampionati vendas ka ndalur një skuadër yjesh, që shumë shpejt do t’i shohim të shkëlqejnë edhe në Bundesligë e në kombëtare.
Plot 11 pikë në 8 ndeshje për Kosovën, që ngjitet në vendin e dytë në grup, 5 pikë pas Gjermanisë. Thjesht madhështore! Një leksion edhe për Superioren tonë dhe trajnerët tanë të kombëtareve të moshave, sepse nuk është normale që Kosova në Superligën e vet të prodhojë më shumë talente se Shqipëria.