Kosova braktisi ndeshjen kundër Rumanisë për shkak të fyerjeve rraciste, UEFA lëshon komunikatë zyrtare

Përballja e mbrëmshme mes Rumanisë dhe Kosovës tërhoqi një vëmendje të gjerë në mbarë Europën. Shkak nuk ishte loja e zhvilluar në fushë, por ngjarja që shënjoi fundin e këtij takimi. Tifozët rumunë ofenduan lojtarët dardanë me fyerje rraciste, çka bëri që ekipi i Kosovës të braktiste ndeshjen.

UEFA ka lëshuar sot një komunikatë zyrtare, ku ka njoftuar se ka çelur një hetim disiplinor për të dyja federatat, si atë të Rumanisë, ashtu edhe për atë të Kosovës. Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.

“Procedurat disiplinore janë çelur kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në përputhje me artikullin 55 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s për ndeshjen e vlefshme për UEFA Nations League mes Rumanisë dhe Kosovës, e luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, Rumani. Informacioni i mëtejshëm rreth këtyre procedurave do të mundësohet në vazhdim”, ka komunikuar UEFA./Sport Ekspres/