Në datën 25 gusht do të luhet sfida e zjarrtë midis Tiranës dhe Crvena Zvezdën e vlefshme per turin e dytë të eleminatoreve të Champions League. Serbët e kanë kapur në çdo detaj përgatitjen për Tiranën, duke mos kursyer edhe sigurinë 100% nga COVID-19. Drejtuesit e Crvena Zvezdës do t’i bëjnë të dyja testet për Koronavirusin në Beograd, pasi shfrytëzojnë faktin se Shqipëria nuk detyron të huajtë të bëjnë testime pas zbritjes nga avioni dhe ka hyrje të lirë.
Nëse një lojtar i Crvena Zvezdës del pozitiv me COVID-19, atëherë të infektuarit do të duhet të izolohen. Kjo taktikë e skuadrës për t’i bërë testimet në Serbi dhe mbi të gjitha, dy herë, vjen pas shembullit të marrë nga Kosova. Ekipet shqiptare atje kanë rezultuar pozitiv kur shkonin në transfertë dhe Drita me Prishtinën janë eliminuar në këtë mënyrë nga Europa që në tavolinë.
Kjo skemë e menduar nga ana e Zvezdës nuk është për të mbrojtur vetëm Tiranën, por për të mbrojtur fillimisht veten. Nëse ekipi serb kalon me tutje atëherë mund t’i duhet të përballet në një tjetër transfertë dhe në një shtet ku bërja e testimeve në tokën e tij mbetet detyrim. Në këto kushte një lojtar i infektuar me Koronavirus dhe që mund të udhëtonte me ekipin drejt Tiranës do të ishte fundi i Zvezdës. Fakt ky që i qetëson edhe bardheblutë se ekipi serb nuk ka asgjë për të fshehur pasi vetëm sa do të dëmtonte vetveten. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/