Korenica ndahet nga Liria, por qëndron në Kosovë

Meriton Korenica është ndarë zyrtarisht me skuadrën e Lirisë së Prizrenit, ku dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit. Mesfushori, i cili është grumbulluar dhe nga Kosova U-21, ka qenë një nga lojtarët të spikatur te skuadra e Blendi Shkëmbit, por tani do të nisë një aventurë të re. Ndonëse Kukësi kishte shfaqur interes për të, Korenica e ka qartësuar menjëherë të ardhmen e tij, pasi ka nënshkruar me skuadrën e Prishtinës. 21-vjeçari ka shënuar dhe dy gola këtë edicion. Vetë lojtari duket i lumtur për aventurën e re që do të nisë, teksa beson se të tjera suksese e presin atë dhe Prishtinën në të ardhmen: “Nuk ishte zgjedhje e vështirë. Prishtina është klub i madh i cili përfaqëson sfida të mëdha për gjithë futbollin kosovar. Ky është po ashtu hap i radhës i madh në karrierën time. Falënderoj FC Prishtinën për mundësinë që të jem pjesë e shtëpisë së kampionëve. Bashkë me Plisat do të arrijmë shumë triumfe, suksese në garat evropiane, Kupën e Kosovës dhe patjetër, rikthimin e titullit të kampionit në kryeqytet. Do të luftojmë në çdo front, për secilin trofe”, ka thënë Korenica, ashtu siç raporton gazeta “Olle”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *