E kishte menduar të lehtë përballjen me Vllazninë B skuadra dibrane e Korabit. Euforia është shtuar pas golit të shënuar që në minutën e parë. Miqtë nga Shkodra kanë rezistuar gjatë dhe në fund të ndeshjes e kanë barazuar takimin duke u kthyer me një pikë të dobishme nga qyteti i Peshkopisë. Në minutën e parë Çakhashvili shërben për Hysenin, i cili ul bukur “sferën” për Peçin, që vetëm për vetëm me portierin shënon duke gëzuar pa masë drejtuesit e skuadrës dhe tifozët e pranishëm në fushën e Korabit. Vendasit sulmojnë pareshtur, por skuadra mike jo vetëm mbrohet me të gjitha forcat, por edhe sulmon dhe rreket të shënojë në portën e Selacit. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 në avantazh të Korabit. Loja ishte e ekuilibruar me raste të bukura, por pa finalizimin e duhur. Dibranët mbrohen mirë dhe shtyjnë nga krahët me Peçin dhe Murrjen. Në minutën e fundit të pjesës të parë është portieri Selaci që tregohet vendimtar në ndërhyrje dhe mban rrjetën e paprekur, duke evituar një gol të sigurt. Pjesa e dytë është më e balancuar, më e kujdesshme. Korabi tenton disa herë portën e Vllaznisë B, ndërkohë që mbrojtja shkodrane është solide, e fortë dhe nuk lejon depërtimin e sulmuesve dibranë. Sakaq sulmuesit e skuadrës mike bëhen më të rrezikshëm, më kërkues dhe gjuajnë herë pas here drejt portës së Selacit. Shtatë minuta pa u mbyllur ndeshje është Markolaj që nuk fal, gjuan rreptë dhe 1-1. Vendasit nuk e pranojnë rezultatin, tentojnë të shënojnë, por nuk i finalizojnë si duhet aksionet. Në fushë ka nervozizëm. Dy minuta para vërshëllimës së kryesorit Kaimi, lojtarët e të dyja ekipeve “replikojnë” me tone të larta. Dibranët shqetësohen se lanë dy pikë në fushën e tyre, ndërsa ekipi i Vllaznisë B i gëzohet një pike të vlefshme në transfertë, në një fushë të vështirë siç është ajo e Korabit të Peshkopisë.
VLLAZNIA AKUZON
Në Peshkopi u luajt një ndeshje korrekte në fushë, por pas saj ka pasur probleme. Të paktën kështu deklaron trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja, i cili në Shkodra.Neës akuzon Korabin se Korabi ka bërë presione nga më të ndryshmet dhe largimi nga stadiumi ka qenë i vështirë, me ndihmën e policisë. “Jemi nisur që në 7 të mëngjesit për këtë takim. Kemi bërë 5 ore rrugë dhe futemi në fushë duke marrë një barazim me vlera në mes presioneve të ekipit kundërshtar. Tani jemi duke u kthyer në shoqërinë e policisë, sepse dolëm vonë nga stadiumi. Drejtuesit e Korabit bënin presione nga më të ndryshme në sy të policisë” – deklaron tekniku i kuqebluve.
REAGIMI I KORABIT
KLubi i Futbollit Korabi sqaron opinionin publik dhe reagon ndaj prononcimit të trainerit të Vllaznisë B: “Lojtarët e Vllaznisë B janë ndihmuar dhe akomoduar me bujari dhe respekt në ambjentet sportive të Klubit, gjithashtu ju janë vënë në dispozicion dhe topa për nxemje pasi nuk kishin. Në transfertat e Korabit, është e ndaluar rreptësisht që të ketë përplasje në ngjyrat e uniformave të dy ekipeve ndërsa si Turbina e Cërrikut e cila erdhi vetëm me uniformën e kuqe ashtu edhe Vllaznia B është lejuar të zhvillojë ndeshjen me uniformë të bardhe e cila ishte e vetmja që kishin dhe kishte përplasje të hapur me uniformën tonë. Gjithashtu ekipi mik është ndihmuar edhe me mjekun e ekipit sa herë kishte dëmtime në rradhët e Shkodranëve pasi nuk kishin të tillë edhe pse rregullorja nuk e lejon që nje ekip të mos ket staf mjekësor në pankinë. Nga ana tjetër Korabit i është kontrolluar imtësisht edhe ambulanca nëse është e pajisur me sendet e nevojshme. Ashtu siç e dinë të gjithë, fusha në Peshkopi është ndër fushat më Fair-Play në Shqipëri ku është luajtur dhe do të luhet futboll i pastër. Pas shënimit të golit, teknika e lojtarëve të Vllaznisë B ishte vonesa e lojës në mënyra të ndryshme duke shkaktuar dhe trazira në fushën e lojës me provokime dhe në një moment të tillë në përfundim të ndeshjes janë dëmtuar stolat në pankinën ku ishin akomoduar miqtë. Nga drejtuesit e Klubit është bërë ndërhyrja për neutralizimin e situatës dhe është kërkuar që përgjegjësi i cili kreu atë akt të shëmtuar duke dëmtuar pankinën të mbajë përgjegjësi dhe të dëmshpërblejë dëmet. Pas komunikimit me delegatin e ndeshjes u vendos që Federata do të marrë masë administrative ndaj Klubit të futbollit Vllaznia B dhe të zëvëndësohen mjetet e dëmtuar në stadiumin e Korabit. Klubi i futbollit Vllaznia gjatë gjithë kohës është ruajtur nga forcat e policie dhe janë larguar nga stadiumi bashkë me lojtarët e Korabit, sapo janë larguar tifozët. Policia rrugore i kanë shoqëruar si në ardhje ashtu edhe në dalje nga qyteti dhe nuk ka patur asnjë shqetësim ashtu siç e përmban rregullorja”.
KORABI – VLLAZNIA B 1-1
Shënues: Peçi 1’ / Markolaj 83’
Korabi: Selaci, Turhan, Jaupi, Osmanllari, Simonov, Veliaj, Peçi (73’ Prendi), Murrja (79’ Kaloshi), Hyseni, Chakhvashvili (86’ Skuka) (në dispozicion-Laço, Kaloshi, Skuka, Prendi, Raza, Osmani) Tr. A. Jakupi
Vllaznia B: Vjerdha, Ruçi, Balaj, Kukaj, Kola, Dema, Bega, Hajdari (Mehaj 86’), Djepaxhia (Markolaj 66’), Erkoçeviç (88’ Hasançunaj), Dibra (Në dispozicion: Hasani, Mehaj, Kushi) Trajner: E. Kraja
Gjyqtarë: B. Kaimi, E. Doda Tiranë, P. Puto, K. Prenga
Kartonë të verdhë: Çakhashvili / Ruçi, Hajdari, Erkoçeviç
Delegat: G. Misha; Vëzhgues: K. Brahja