Korabi-Flamurtari, ndeshje me aromë Superioreje

Nga Prof. Dr. XHEVDET ZEKAJ

Kur vendosa të shkoja në Peshkopi dhe të ndiqja këtë ndeshje të Kategorisë së Parë, kisha disa pikëpyetje me veten time. Të tilla si do të sillej administratori i Korabit, Fehmi Mziu, duke pasur parasysh sa emocional është ai për skuadrën e tij; si do të ishte fusha e lojës, sa do të ishte numri i tifozëve, po niveli i lojës… Isha shumë kureshtar të shikoja nga afër si përjetohet në qytetin e kulturës e traditës ndeshja e Korabit në shtëpi.

Natyrisht, përtej propagandës së rrugës së re të Arbrit, realiteti në të ishte mjaft ndryshe. Rruga deri në Peshkopi na zgjati shumë. Sapo mbërritëm në qytet, kuptova se jeta ishte ndryshe atje. Jo vetëm qyteti i Peshkopisë, por edhe zonat përreth jetonin me ekipin e futbollit, mezi e prisnin Korabin të luante në stadiumin e vet. Dita e ndeshjes ishte vërtet festive.

Renditja afër kreut i skuadrës dibrane, bashkë me Dinamon, Skënderbeun dhe Flamurtarin, e mbante gjallë ëndrrën e dibranëve për t’u ngjitur në Superiore. Një realitet që e provuan disa vite më parë, po nën administrimin e Mziut. Nga ana tjetër, Flamurtari, në bisedën që pata me drejtorin Ferko, ishte i bindur se kjo skuadër vlen shumë, është e ndërtuar për në Superiore.

Superiorja është një bast i fituar nga Sinan Idrizi, i cili ka investuar jo pak për këtë Flamurtar! Duhet të theksoj që futbollistët e rinj dibran mes tyre kishin dhe Brajan Selmanin, luftarak, o qetë, një mbrotës sulmues, jo vetëm se shënoi golin por në çdo aksion sulmues të Korabit ishte  rrezik për Flamurtarin..

Me Mziun Junior, folëm gjatë për Korabin, ai thoshte se kemi skuadër të re, me vetëm dy veteranë, njëri 28 dhe tjetri 34 vjeç. Synojmë Superioren, luajmë mirë me kundërsulm. Ferko përgjigjej: Jemi skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë, më e forta. Luajmë futboll të bukur, brazilianët që kemi në përbërje kanë nivel të mirë, por kemi dhe Liçajn, Ramadanin dhe Pjeshkën.

Ky ishte “klani shkodran” që jepte garanci për objektivin madhor, kthimin në elitë. Ndeshja filloi shumë bukur, impenjative për të dyja skuadrat. Pashë një Femi Mziu super serioz, super korrekt, gjatë gjithë ndeshjes u mor vetëm me skuadrën e vet. Pavarësisht llafeve lart e poshtë, Mizu tregoi se është një administrator i devotshëm dhe i përmbajtur në krye të Korabit. Nuk pati as agresivitet, asgjë tjetër të keqe, përveç suportit për skuadrën e tij.

Flamurtari luante qartë, me shumë pasime, por në fazën sulmuese nuk po rrezikonte shumë. Shkonte shumë mirë deri para portës kundërshtare, por atje stopohej. Vendosja taktike e kuqezinjve ishte e përkryer, përballë një Korabi të ri dhe shumë të emocionuar. Përgjegjësia e ndeshjes, rezultatit, klasifikimit e kishin ngarkuar skuadrën dibrane shumë nga ana psikologjike. Pika kryesore e vendësve ishte Mziu në mesfushë, sidomos me krosimet e tij drejt zonës së portës vlonjate; veterani i formacionit dibran.

Dominimi ishte i Flamurtarit, por dibranët patën rastet më të pastra në pjesën e parë. Selmani ishte një mbrojtës i ri mjaft i mirë, si dhe gjendej pranë portës së Flamurtarit kur vendësit kundërsulmonin rrezikshëm. Kjo ndeshjee  kishte bukurinë e vet te tifozët. Ata ishin shumë më tepër në numër se në 80% të ndeshjeve të Superiores. Ata e motivonin Korabin fuqishëm, por nuk kishte sharje e fyerje në vokabolarin e tyre. Njerëz të qetë, të cilët kulturën apo konceptin perendimor e kanë në ADN. Kjo edhe falë traditës dhe raportit me shqiptarët e Dibrës së Madhe.

 

Ndeshja u mbyll në barazimin 1-1, por për mua rezultati pak rëndësi kishte. Një tribunë normale e stadiumit, një fushë që të lejonte të luaje futboll. Në këtë ndeshje, realisht fusha kishte ngrica vende-vende, ndaj futbollistët rrëshqitnin jo pak. Ishte një ndeshje me emocione, e nivelit superior, me dyluftime luftarake, e mirë luajtur në aspektin tekniko-taktik.

Binte në sy numri i shumtë i futbollistëve të huaj, teksa dihet se në Kategorinë e Parë lejohen 5 të tillë për ekip, çdo ndeshje. Në pamje të parë duken pak si shumë, por brazilianët e Flamurtarit bënin diferencën në fushë. Ishin luks për Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore, në një terren më të mirë do të jenë mjaft efikasë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *