Administratori nuk kursehet, por tregohet i drejtpërdrejtë si zakonisht: Çfarë kuptimi ka të privatizohet vetëm stema pa asetet? Këta më ngjajnë si bolshevikë
Gjergji Stefa
Njeriu në jetë ka dy modele. Smith ose Marks? Të dy të jashtëzakonshëm, por të ndryshëm. Suksesi nuk ka receta. Çdo filozofi është e pranueshme, mjafton që në fund të ardhurat të jenë të paktën njësoj sa shpenzimet. Futbolli ka teoritë e veta, teori që Marks dhe Smith do t’i kishin përbuzur. Brenda është koeficienti emocional. “Jemi të gjithë pak budallenj”, thoshte vite më parë Berluskoni, kur e pyetën se sa nga paratë e familjes shpenzoi për Milanin. “E kam dhe unë koeficientin tim të budallait”, tha Sinan Idrizi, presidenti i Flamurtarit. President është fjalë e madhe. “Mos u tallni me mua, sa herë dëgjoj që më thoni president më vjen të qesh. Sigurisht që miklohem, por kjo joshja ndaj futbollit duhet të ketë një fund”, vijon Idrizi. Sigurisht që në botën ku jetojmë çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë. “In or out”, si thonë amerikanët. “Mos mi kujtoni ata se më vjen të ulërij. Kur jam brenda thoni që nuk marr vesh, kur jam jashtë thoni që s’kam më para”. Çfarë po ndodh?
Sinan Idrizi u shfaq në Vlorë në janar të vitit 2014. Bashkangjitur me dy kompani turke të gatshme të sponsorizonin e më pas të investonin në klubin Flamurtari. Ai për 6 muaj u soll me flamurtarin si një dashamirës, duke kontribuar financiarisht dhe duke e ndihmuar skuadrën të fitonte Kupën e Shqipërisë. Futbolli nuk ka qenë ndonjëherë prioritet për bizneset e tij. Por biznesi është biznes dhe pse jo nëse mund të zhvillohet, “bujrum, i thotë dhe Erdogan, diktatori turk”, që ai e ka mik. “1 miliard dollar stadium bëri diktatori”, thotë Sinani. Le mos shpërqendrohemi.
Në verën e 2014-ës Idrizi nënshkroi një kontratë me Bashkinë Vlorë. Në dy vitet e ardhshme Bashkia, megjithëse pronare me 100% të aksioneve, nuk do investonte asnjë cent në klub. Të gjitha shpenzimet, si në burime njerëzore, ashtu dhe në infrastrukturë, do mbuloheshin nga Idrizi. Ky ishte një hap i ndërmjetëm drejt privatizimit të plotë të klubit. Idrizi do ishte vetëm një administrator i shoqërisë, nuk ka të drejtë fitimi dhe të ardhurat që do vinin do përdoreshin nga klubi. Në rast fitimi do shkonin në arkat e bashkisë. Sot kanë kaluar 4 vite dhe ky status nuk ka ndryshuar. Ne shqiptarët dimë shumë mirë t’i bëjmë llogaritë e tjetrit. Shpejt e shpejt një pasqyre të ardhurash dhe shpenzimesh. 4 vite, rreth 2 milionë euro në vit. 8 milionë euro në total, përfshirë dhe investimet në infrastrukturë apo pse jo dhe borxhe të së shkuarës të detyruar par t’u paguar. Të ardhurat janë minimale. Asnjë pjesëmarrje në Europë dhe asnjë lojtar i shitur. Këto janë dy zërat kryesorë në arkën e një klubi. E drejtë televizive, fond solidariteti dhe bileta: nuk shkojnë më shumë se 250 mijë euro në vit. Diçka më shumë se 10 përqind e shpenzimeve. Pra, një gropë financiare prej rreth 7 milionë euro, që është paguar nga vetë Idrizi apo nga sponsorizimet e kompanive turke, që gjithsesi i ka servirur ai. Përse ky bilanc? Pak nga të gjitha. Mbi të gjitha, një mungesë përvoje në menaxhimin e klubit. Me siguri Idrizi nuk ndihet mirë kur sheh që klube të tjera me buxhete deri 250 mijë euro në vit shkojnë në Europë, fitojnë trofe e madje dalin dhe me fitim. Ky është një biznes i çuditshëm. Këtu mund të ndodhë që të marrësh më të mirët dhe në fund të mos fitosh. “Është e komplikuar. Mendoja se ishte si kudo tjetër. Ke paratë, afron më të mirët dhe i afrohesh suksesit. Këtu koeficienti rrethanë dhe fat është shumë i rëndësishëm. Për një shtyllë t’i mund të humbasësh 1 milionë euro. E çuditshme”.
Suksesi sportiv ka munguar, problemet kanë qenë të shumta, por duhet të dish çfarë nuk ke, për të kuptuar e vlerësuar atë që ke. “Kemi investuar e kemi mbajtur futbollin gjallë, dhe sido që të jetë, kemi qarkulluar miliona në këtë treg të çuditshëm dhe kaotik. Shoh shumë qytete të mëdha që skuadra e tyre e futbollit gjendet në ligat e vogla pa asnjë emocion. Nëse kemi gabuar që kemi bërë këtë, atëherë shkëputemi që nesër”.
Kush janë planet e së ardhmes? “Prej kohësh tentojmë privatizimin e plotë të klubit. Më thonë që stemën mund ta marrësh që nesër. Stadiumin dhe fushat stërvitore jo. Çfarë sensi ka kjo? I bie që unë të investoj vetëm në trajnerë dhe lojtarë. Po nëse më pas unë marr lojtarin më të mirë dhe ai godet shtyllën?. Futboll pa asete nuk ka. Smith do kish vënë duart në kokë, ndërsa Marksi do ish tërhequr. Këta mendojnë si bolshevikë. E dini më të fortën? Nuk kanë asnjë interes. Asnjë. Atë stadium nuk do e shndërrojnë kurrë në diçka tjetër. Përse të mos e bëjmë një qendër multifunksionale, të fitohet para dhe klubi të financohet nga këto të ardhura?. Kështu nuk shkon. Shikoni çfarë i ndodh mikut tim Halili. Ka stemën e Tiranës, po nuk ka të drejtë investimi dhe shfrytëzimi në stadium. Dhe ata që do e blejnë Shkodrën do e bëjnë kështu”.
Stema ama nuk është se të jep pak para. Nëse di ta zhvillosh, nëse ke sukses sportive dhe nëse përqasesh me tregun e lojtarëve, mund t’ia dalësh. “Po edhe mundet, por në këtë sistem fiton ai që di të zgjedhë lojtarë. Përse të mos fitojmë të gjithë. Unë mund të jem në vend të tetë në kampionat, por ama mund të kem një shoqëri me një bilanc pozitiv. Me logjikën tuaj do vijojnë të jenë në këtë treg vetëm ata që fitojnë kampionatin ose shkojnë në Europë. Përse? Unë që ndoshta nuk shkoj në Europë i bie të iki. Si t’i gjej paratë që të financoj ekipin?”.
Nga xhepi? “Po xhepi është një opsion. E kam bërë, e kanë bërë të gjithë presidentët, madje disa prej tyre nuk janë më në treg. Po sa e kam unë koeficientin e idiotësisë? Pastaj pse duhet të mendoj vetëm unë ta vë në dorën në xhep? A e dini që paguajmë taksa për 23 përqind të lojtarëve dhe tatohemi me 15 përqind për çdo të ardhur?!”.
Idrizi ndonjëherë të lodh. Sidomos kur flet me terma ekonomikë. Njerëzit duan gola dhe fitore. Sporti nuk ka logjikë. Nëse do logjikë ik diku tjetër. Por dhe ai llafe e ka, tani ka marrë dozën e duhur për të vazhduar. Futbolli është si dashuria. Njerëzit e zgjuar ndoshta nuk bien lehtë në dashuri, por nuk ka njeri në këtë botë që nuk ndjen fluturat në bark kur ulet në tribunë dhe shikon ata që luajnë. Sinanit po i vijnë fluturat vërdallë. Por ama duhen parë paratë. Dashuria pa para hyn nga dritarja e del nga dera. As Smith e as Marksi, Sinani duhet të bëjë diçka që të shpëtojë dashurinë e tij dhe klubin. Bëj ç’të duash, vetëm fito. Kjo është motoja e tribunës qendrore të stadiumit “Flamurtari”. Ajo është tribuna më e çuditshme në vend.
TI JE NJE INJORANT DHE BATAKCI…..!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!