Konfirmohet Sukaj, shansi i Herrerës?

Sulmuesi shkodran do të jetë sërish në majë të sulmit, Juliano ka dy dilema

Ndeshja ndaj Luftëtarit duhet të jetë ajo e rikthimit për Partizanin. Të hënën, në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe me ndihmën e tifozerisë, prej orës 17:00, të kuqtë nuk duhet të gabojnë. Asnjë rezultat përveç fitores nuk bën punë. Trajneri Mark Juliano po mendon dhe analizon edhe formacionin që do të hedhë nga minuta e parë në fushën e lojës. Tekniku italian ende nuk i ka idetë krejtësisht e qarta, pasi edhe në seancën e djeshme stërvitore nuk dha indikacione për formacionin titullar, por preferoi të përzinte grupin duke mos dhënë indikacione. Megjithatë, tekniku i “demave” nuk ka shumë dilema për formacionin ndryshe nga ndeshjet e tjera. Dy dilema ka Juliano për titullarët që do të hedhë në fushën e lojës. Në krahun e majtë të mbrojtjes dhe zëvendësuesin e La Kameras. Italiani ka 4 kartonë të verdhë dhe nuk do të luajë në sfidën kundër Luftëtarit.   

DILEMAT – Krahu i majtë i mbrojtjes ka dilema, pasi Kalari dhe Kotobelli janë në balotazh. Ky i fundit i nisi 4 ndeshjet e para si titullar, por më pas u la jashtë nga tekniku Juliano për t’i bërë vend Kalarit. 33-vjeçari luajti nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Teutës, duke dhuruar një paraqitje të mirë, por u dëmtua në kokë dhe mori disa të qepura. Kjo ia vështirëson punën trajnerit Juliano, edhe pse mbrojtësi u stërvit ditën e djeshme dhe mori ngarkesë të plotë. Një tjetër dilemë është edhe për zëvendësuesin e La Kameras. Mesfushori ka plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë dhe nuk do të luajë. Numri një i pankinës po mendon për zëvendësuesin e tij dhe me shumë mundësi do t’i jepet një shans Herrerës. Deklarata e drejtorit sportiv Preiti se panamezi nuk ka asgjë më pak se argjentinasi Torasa mund të ndikojë në këtë vendim.
SUKAJ –  Sulmuesi do të jetë përsëri nga minuta e parë në majën e sulmit. Shkodrani është liruar pas golit të shënuar kundër Teutës dhe tashmë pritet të jetë lokomotiva e “demave” edhe në ndeshjen ndaj Luftëtarit duke u konfirmuar si titullar.

Basrak, i rrezikuari i parë

Sulmuesi Milan Basrak u afrua te Partizani si një emër që do të zëvendësonte sulmuesin Kaleb Ekuban. Pritshmëritë për të ishin të larta dhe besohej se nga këmbët e serbit do të vinin edhe golat e shumëpritur. Basrak është një lojtar që njihet mirë nga drejtuesit italian të “demave”, pasi e ka zhvilluar karrierën e tij në Itali, por ende nuk ka arritur t’i bëjë vend vetes në skuadrën e Partizanit. Faza përgatitore nuk ishte e keqe, por me kthimin në Shqipëri dhe fillimin e kampionatit ai nuk u afrua me ekipin e parë. Basrak pësoi edhe një dëmtim së fundmi, atëherë kur u mendua se do të vinte edhe momenti i tij. Një shans që duket se nuk do të vijë kurrë, sepse po mendohet edhe një largim i mundshëm për të. Në janar, Partizani do t’i nënshtrohet me shumë mundësi një revolucioni dhe Basrak është ndër emrat e parë që rrezikon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *