Konfirmohet, Albian Ajeti nuk na do!

Panuçi  e pranon se se sulmuesi i talentuar me shumë mundësi do të zgjedhë kombëtaren helvete, por do ta provojë një shans të fundit. De Biazi hoqi dorë shumë shpejt: “E kam kuptuar historinë e tij”

Është vetëm 20 vjeç, por konsiderohet si një sulmues me të ardhme të shkëlqyer, përveçse me një të tashme shumë interesante, sepse po shënon lumë golash në Superligën zvicerane. Albian Ajeti, vëllai i vogël i Arlindit, nuk ia doli tek Augsburgu në Bundesligën gjermane, por kthimi në Zvicër, te Sant Galleni, e ka ringjallur, me 13 gola në kampionat në vitin 2017. Këtë sezon mungoi gjatë për dëmtim, por sapo u kthye nisi të shënojë dhe ka bindur Bazelin të rikthehet në sulm. Ish-klubi i tij e kërkoi gjatë në verë, por nuk mundi t’ia rrëmbente Satn Gallenit, që e kishte blerë për 1 milion euro nga Augsburgu.

Tani, duke parë edhe një dëmtim të rëndë që ka pësuar sulmuesi Van Volfsfinken, Bazeli e ka kuptuar se i duhet të bëjë një sforcim financiar dhe ka mbyllur gjithçka me Sant Galenin për 2.6 milionë euro, shifër e konsiderueshme për standardet e futbollit zviceran. Marrëveshja është bërë publike që tani, edhe pse pushimet dimërore janë ende shumë larg.

Por, sipas zviceranes “Blick”, që zakonisht ka informacion të saktë për futbollin zviceran dhe kombëtaren, Albian Ajeti ka refuzuar Shqipërinë. Pas Xhani De Biazit (“e kam kuptuar historinë e tij”), edhe Kristian Panuçi ka kontaktuar me 20-vjeçarin, sipas gazetës së njohur, por Ajeti ka preferuar të vazhdojë me Zvicrën. Në fakt, Albiani është pjesë e Zvicrës U-21 dhe ende nuk ka debutuar me kombëtaren e madhe, ndaj ka ende kohë për të vendosur, por duket se nuk e ndien si Arlind Ajeti peshën e fanellës kuqezi, por për të qenë cinikë, mund të thuhet se Albiani mendon se ka më shumë shanse se Arlindi për të luajtur me kombëtaren A të Zvicrës.

Trajneri  – Një konfirmim që ka ardhur edhe dje nga trajneri Kristian Panuçi, në konferencën për shtyp që përmblidhte këto dy ndeshje të fundit dhe kualifikueset në tërësi: “Ajeti nuk do të vijë, më jep ndjesinë që po pret Zvicrën. Gjithsesi unë do shkoj ta takoj për të kuptuar se çfarë ka ndërmend të bëjë”.

Kur Redi Jupi tha: Mes Shqipërisë dhe Zvicrës, zgjedhin të dytën!

Kohë më parë, pjesë e emisionit “Proçesi Sportiv”, Redi Jupi, dikur në rolin e drejtorit të zyrës së zbulimit të talenteve por edhe i kombëtares U-21, lëshoi edhe deklaratën, gjatë një konference për shtyp: “Jam i bindur, duke parë se si kanë shkuar gjërat, që nëse një futbollist shqiptar i lindur dhe rritur në Zvicër, do të ftohej nga kjo kombëtare, do të thoshte “po”. Kështu kanë bërë të gjithë. Ata që kanë ikur, janë aty, pasi janë thërritur. Të tjerët, që nuk kanë gjetur vend ose nuk kanë pasur asgjë të sigurt, kanë preferuar Shqipërinë. Ndodh prej kohësh kështu, ndaj të shohim futbollistë të tjerë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *