Nga Klaudio Ndreca
Silvinjo nuk ka debutuar ende me Shqipërinë, disa do ta duan dhe të tjerë do ta urrejnë, gjithçka varet në bazë të rezultateve dhe mënyrës së lojës që do të praktikohet nga Kombëtarja. Përshembull, kush do ta imagjinonte që një ditë pasi Shqipëria arriti në Europian, De Biazi të merrte kritika nga të gjitha anët që luante vetëm në mbrojtje dhe pa një sulmues të deklaruar? Në skemë po, por në fushë sulmuesi i vetëm i De Biazit ishte mesfushori i parë shkatërrues.
Për të kaluar me epokën e Rejës që praktikoi skemën me dy sulmues, që askush nuk e çonte ndërmend më parë. Një rrezik i marrë përsipër që na nxori zbuluar mbrapa dhe historia dihet. Por përtej skemave, vendosjes taktike dhe historive të tilla, Silvinjo na ka dhënë praktikisht një shuplakë që pa debutuar ende.
“Këtu lojtarët do të flasin shqip dhe do të dëgjohet vetëm shqip. Deri në 100% të lojtarëve e dinë shumë mirë italishten ose anglishten, por do të kemi përkthim në shqip. Kjo është domosdoshmëri”, u shpreh trajneri ynë i ri në një intervistë për një media braziliane. Ndoshta nga këtu duhet nisur, kjo është plaga më e madhe e hapur që duhet kuruar.
Lojtarët e Kombëtares sot, në pjesën më të madhe të rasteve janë të rritur në Angli, Itali, Zvicër dhe e vetmja lidhje e tyre me Shqipërinë është ajo familjare dhe e folur nga prindërit e tyre. Lojtarët e Kombëtares sot nuk zgjedhin që t’i bëjnë pushimet e tyre në atdhe, duke mos ardhur praktikisht në asnjë rast tjetër në vendin tonë veçse për ndeshjet e Kombëtares, tre apo katër herë në vit. Lojtarët e Kombëtares sot janë të rritur me një kulturë tjetër që nuk lidhet shumë me natyrën tonë. Lojtarët e Kombëtare sot i kanë në të shumtën e rasteve martesat e tyre me bashkëshortet që i përkasin kombësive të ndryshme.
Dhe nëse pas gjithë kësaj panorame, vazhdohet të flitet në gjuhën italiane, angleze, frënge edhe gjatë pjesës së stërvitjes në Kombëtare, atëherë vetë ambienti nuk të bën që të shohësh ndonjë dallim të madh mes përgatitjes për ndeshje te klubi i zakonshëm dhe përgatitjes për lu.ftë për vendin tënd.
Por a duhej braziliani që të na bënte të reflektonim dhe të mendonim që në fakt e kemi harruar vërtetë sesa e vështirë është që të ruash gjuhën shqipe? Është një shuplakë e fortë, padyshim, edhe për familjet që emigrojnë dhe kërkojnë të përshtaten në ambientin e tyre të ri duke tentuar të fshijnë me gomë prejardhjen.
Në jo pak raste edhe në televizione apo vetë gazetarët zgjedhin që të bëjnë pyetje në gjuhë të ndryshme, por jo atë shqipe. Gjithmonë kemi menduar se të jesh europian, do të thotë që të heqësh dorë nga origjina jote dhe ti imponohesh kulturës së një shteti të zhvilluar, që ty nuk të përket. Pra të ruash gjuhën, zakonet dhe kulturën tënde nuk është asgjë më tepër sesa të kesh dinjitet.
E parë në këtë këndvështrim, Silvinjo e meriton një duartrokitje të parë dhe jo sepse ka qenë ndihmësi i Tites te Brazili, jo sepse ka qenë trajneri i Lyon dhe jo sepse ka qenë një lojtar i madh në Europë. Na bëri të kuptojmë me një fjali se jemi po vetë të parët që bëjmë të njëjtat gabime për të cilat kryqëzojmë lojtarët e Kombëtares, humbja e identitetit, humbja e dinjitetit. Të qajmë apo të qeshim? Me rëndësi është Silvinjo po lëviz emocionet tona. /Sport Ekspres/