Shqipëria U-21 ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin dhe Poloninë. Në këtë listë gjendej edhe mbrojtësi Edon Pruti i Hartepool. Megjithatë në Angli nuk e lejuan futbollistin që t’i bashkohej Kombëtares për këto takime miqësore, pasi gjatë kësaj periudhe kanë ndeshje në League Two dhe për ta Pruti është shumë i rëndësishëm.
Trajneri John Askey tregoi se ka pasur kontakte me Shqipërinë që Pruti të ngelej në Angli dhe në fund kështu do të vendosej. “Ne shpresojmë që Pruti të mos shkojë te Kombëtarja. Ua kemi shpjeguar njerëzve në Shqipëri rëndësinë e qëndrimit të tij këtu dhe se ai do të zhvillohet më tepër dhe do të qëndrojë pa rënë nga kategoria.
Pra shpresojmë se ata nuk do të jenë aq budallenj për këtë, sepse Pruti na jep shumë ekuilibër në krahun e majtë”, tha trajneri i Hartepool, me këtë skuadër që ndodhet në vendin e parafundit dhe rrezikon rënien. Në fund te Shqipëria vendosën që ta linin Prutin te Hartepool dhe të mos e merrnin për këtë miqësore. /Sport Ekspres/