Nga streha e olimpizmit shqiptar, KOKSH ka përfunduar në institucion që ka humbur rrugën prej kohësh. Rregullat dhe ligji janë mënjanë dhe pushtetin e ka marrë në dorë kaosi, duke e futur Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar në një qorrsokak nga ku nuk po arrin të dalë. Aktorët që duhet të vendosin qetësinë dhe të kthejnë këtë institucion në shinat e duhura kanë zgjedhur indiferencën dhe qendrojnë të përgjumur pa ndërmarrë masat e duhura.
Gjykata e Tiranës refuzoi pak ditë më parë thirrjen e dy Asambleve të KOKSH, teksa i dha të drejtë fakteve të renditura nga FSHF, që nxirrnin në pah paligjshmërinë e që tregonin më së miri gjendjen në të cilën ndodhet momentalisht Komiteti Olimpik. E nëse Federata e Futbollit u përpoq të drejtonte gishtin në problematikat kë kanë mbërthyer organizatën e olimpizmit shqiptar për t’i ndrequr ato, të njëjtën rrugë nuk e kanë ndjekur federatat e tjera, të cilat nuk janë të vetme.
Në një kohë kur Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të thoshte fjalën e saj dhe të sillte rregullin e munguar, preferon të zgjedhë heshtjen dhe vazhdon dremitjen e saj. Indiferentizëm që nuk i shkon për shtat kësaj instance shtetërore, që ka përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për sportin dhe në veçanti për KOKSH-in, të cilin po vetë e financon. Në këto kushte zgjidhja duket larg, pasi për të shpëtuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar nga kaosi që është duke i zënë frymën, nevojitet një ndërhyrje sa më parë./Sport Ekspres/