Koronavirusi ka më shumë se një muaj që është ulur këmbëkryq në Europë, duke lënë pas mijëra të infektuar dhe viktima. Por dëmet nuk janë vetëm shëndetësore, teksa ekonomia po hyn në krizë për shkak të shkatërrimit të jetës sociale dhe gjithë aktiviteteve njerëzore. Ndërkohë për të ndihmuar në rimëkëmbjen e financave një nismë mjaft interesante vjen nga Kosova dhe si protagonist kërkon të ketë futbollistët.
“Futbollistët për Kosovën“ është faqja e krijuar në “Facebook“ për të ndihmuar qeverinë e Kosovës në betejën e ashpër me pandeminë Koronavirus. Duke qenë se futbolli është ndalur, tashmë lojtarëve u kërkohet që fitoren të mos e marrin në fushë po jashtë saj, në një sfidë edhe me të vështirë me Covid-19. Kështu kjo nismë brilante bashkon të gjithë futbollistët si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë për të luajtur në të njëjtin ekip për një qëllim të përbashkët. Një numër llogarie është vënë në dispozicion për të mbledhur fondin e qeverisë së Kosovës dhe këtu ftohen të gjithë lojtarët e futbollit që të kontribuojnë dhe të shënojnë kështu “golin“ e radhës, që mund të jetë edhe më i rëndësishmi në karrirën e tyre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/